Themeluesi i AKR-së Behgjet Pacolli është rizgjedhur në krye të partisë që e themeloi dhe udhëhoqi për vite me radhë.
Pas zgjedhjeve që u mbajtën dje në të gjitha degët e AKR-së, dhe votimit ‘online’, Pacolli ka dalë të jetë i preferuari për president të partisë nga të gjitha degët e partisë.
Kryetar i Komisionit Zgjedhor të AKR-së, Fatmir Matoshi, tha se tashmë AKR e ka konfirmuar presidentin e saj Behgjet Pacolli edhe për një mandat tjetër në krye të partisë.
Ai tha se AKR deri më tash ka themeluar 800 nëndegë, në të gjithë Kosovën, dhe ka rreth 20 mijë anëtarë. Sipas tij, dita e djeshme është dëshmia më e mirë se AKR po kthehet fuqishëm në skenën politike kosovare.
“Anëtarët tanë të partisë në mënyrë shumë dinjitoze u janë drejtuar qendrave të votimit, kanë dhënë vendimin e tyre për udhëheqësin e partisë në mandatin e ardhshëm dhe kjo dalje e ditës së djeshme është si rezultat i punës tonë një vjeçare në ri konsolidimin e partisë. Deri më tash kemi themeluar 800 nëndegë nëpër gjithë Kosovën, kemi rreth 20 mijë anëtarë nëpër struktura duke filluar nga nëndegët, dhe dita e djeshme është dëshmia më e mirë se AKR po kthehet fuqishëm në skenën politike kosovare”, tha ai.

Nasuf Aliu, anëtar i Komisionit Zgjedhor të AKR-së, në prezantimin e rezultateve preliminare për zgjedhjet e mbajtura dje, tha se kanë votuar 50 mijë e 23 persona. Për Behgjet Pacollin president të AKR-së kanë votuar 49 mijë e 411 persona, kundër ishin 531 dhe 86 vota kanë qenë të pavlefshme.
“Aleanca Kosova e Re dje zhvilloi një model të ri të demokracisë në vend, me ç’rast pjesëmarrës në këtë proces të votimit për president të Aleancës Kosova e Re ishin 50 mijë 23 persona, për presidentin Pacolli mbështetje për të jepen 49 mijë e 411 persona ose 98.77 për qind, kundër votën kanë jep 531 persona gjegjësisht 1.06 për qind dhe vota të pavlefshme kemi pas 86 vota ose 0.17 për qind”, tha ai.

Gjatë ditës së djeshme në të gjitha degët e AKR-së është zhvilluar votimi për kryetar të AKR-së, ku i vetmi kandidat ka qenë Behgjet Pacolli dhe votuesit kanë pasur të drejtë të votojnë pro ose kundër tij. /KosovaPress/