Çështja e mos liberalizimit të vizave për Kosovën, ishte ndër temat kryesore, për të cilën u diskutua në Samitin e Komisioneve Parlamentare për Punë të Jashtme, ku u tha se parlamentarët e Kosovës nuk duhet ta bllokojnë liberalizimin e vizave për interesa partiake.
Përfaqësuesja speciale e BE-së, Nataliya Apostolova në fillim të fjalimit të saj kishte një mesazh për Kosovën.
Ajo tha se BE do të vazhdojë ta mbështes rajonin dhe Kosovën, ndërsa, tha se Kosova duhet t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave, që sa më shpejtë ta miratojnë demarkacionit dhe të marrin masa në luftën kundër korrupsionit.
“Institucionet e Kosovës dhe ligjet e Kosovës qëndrojnë më mirë në përmbushjen e obligimeve të tyre, dhe ne insistojmë që Kosova t’i përmbush edhe dy kriteret e mbetura. Politikanet e Kosovës mbajnë çelësin që të arrihet liberalizimi i vizave, që të bëhet miratimi i demarkacionit me kufirin me Malin e Zi dhe të ndërmarrin masa me të fuqishme në luftën kundër korrupsionit. I inkurajoi politikanët e Qeverisë së Kosovës, ata të opozitës dhe pozitës që ta gjejnë konsensusin e nevojshëm për t’i përmbushur dhe dy kushtet e mbetura, që qytetarët e Kosovës ta kenë liberalizimin e vizave. Në Kosovë polarizimi i partive opozitare dhe pozitare ka rezultuar me një ngërç politik, pavarësisht faktit që partitë opozitare janë kthyer në Kuvend, polarizimi mes opozitës dhe pozitës ka vazhduar ta ngadalësoj punën e Kuvendit”, tha ajo.
Edhe anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon tha se Kosova ka arritur progres të madh viteve të fundit. Ajo përmendi MSA-në si një arritje e rëndësishme për vendin dhe agjenda evropiane për reforma, duke pohuar se që të dyja duhet të implemtohen, pasi që do ta bëjnë Kosovën me të fuqishme dhe me të sigurte për të jetuar.
“Është shumë e rëndësishme që të përfundojmë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Iu siguroj që jemi shumë të përkushtuar, të bëjmë çfarëdo që është e mundur për ta bërë këtë realitet. Kosova ka bërë progres domethënës në luftën kundër korrupsionit, që është proces i zhvilluar mirë, por duhet të punohet me tutje. Kemi çështjen e demarkacionit dhe dua të iu ofroj mbështetje për demarkacionin. I ftoj të gjithë parlamentarët e Kosovës, iu lutem mos i stoponi proceset dhe mos e bllokoni liberalizimin e vizave për interesa partiake. I ftoj të gjithë ata që janë përgjegjës, të bëjnë çfarëdo që është e mundur, për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme…tani ju e keni radhën. Mendoj që duhet të zhvillohet me tutje dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i siguruar të drejta të gjithë qytetarëve të Kosovës, kjo është esenciale”, tha ajo.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se si asnjëherë më parë në histori, vendet e rajonit, ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike, vizionin politik dhe aspiratat e qytetarëve tanë për të qenë qytetarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
“Kohëve të fundit, të gjithë jemi dëshmitarë se Bashkimi Evropian është duke kaluar momente kritike, ka zëra që flasin për një krizë pa shtegdalje, të tjerë flasin për skenarë të shpërbërjes. Natyrshëm kjo është duke shkaktuar huti dhe ndonjëherë edhe pasiguri për të ardhmen në mesin e qytetarëve tanë. Jam i mendimit se këto pikëpamje shpejt do të përgënjeshtrohen, vullneti për të qëndruar të bashkuar është shumë herë më i fortë se tendencat që kërkojnë të kundërtën. Bashkimi Evropian është shumë më shumë se sa burokracia e një grupi mekanizmash institucional…Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera. Ne të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona, fillimisht të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke”, tha ai.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se ndihet krenar që përfaqëson popullatën me pro evropiane dhe më pro amerikane në Evropë. Ai foli dhe për konsolidimit të shtetit, duke pohuar se kanë qenë të suksesshme dhe në anëtarësimin organizatave ndërkombëtare. Ndërsa, i bëri thirrje Rusisë që ta njoh Kosovën.
Ai foli për procesin e liberalizimit të vizave, duke pohuar se institucionet e vendit po punojnë maksimalisht dhe se shpreson që në ditët e ardhshme Parlamenti i Kosovës, do ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Ndërsa tha se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE.
“Është e vërtetë se ka shume skepticizëm për projektin e BE, madje dhe preje vet shteteve anëtare. Nganjëherë ndoshta me të drejtë, pasi që BE rrezikon te kthehet ne institucion burokratik, që është larguar nga qytetari. Ndonjëherë lihet përshtypja se ne BE nuk ka lidership dhe vizion për zgjerim. Nuk ka lidership dhe vizion sa i përket qasjes strategjike për Ballkanin perëndimor. Jam një nga ata që flas zëshëm dhe fuqishëm që Brukselit i mungon vizioni strategjik për Ballkanin perëndimor, por nuk kemi alternativë tjetër, as nuk jemi duke kërkuar alternativë tjetër, po askush s’mund ta kontestojë që projekti i BE-së, ka arritur me sukses misionin themeltar, për ta ruajtur paqen në vendet e veta anëtare, prandaj edhe ne Kosova por dhe rajoni i Ballkanit perëndimor synojmë anëtarësimin në BE dhe NATO. Këto do të jenë themelet e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë“, tha ai.
Në këtë samit u përmend dhe gazi lotsjellës në Kuvend. Ishte Anne Mulder, anëtar i komisionit për punë të jashtme, nga dhoma e përfaqësuesve në Holandë, i cili tha se pamjet e tilla nuk e ndihmojnë aspak Kosovën. Ajo tha se Kosovës i duhen edhe shumë vite për t’u integruar në BE, pasi që ka ende shumë detyra për të bërë.
“Kam parë që është përdor gaz lotsjellës në parlament, nuk e di kush qëndron prapa kësaj, por kjo nuk iu ndihmon as mua dhe as ju, iu lutem mos veproni kështu. Pastaj shumë folën dhe për liberalizimin e vizave, unë mendoj që politikanët në Kosovë, duhet t’i përmbushin pritjet e Bashkimit Evropian, duhet t’i përmbushni kriteret, siç është demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit. Mos e luftoni korrupsionin vetëm pse dëshironi ta merrni liberalizimin e vizave, por bëjeni për të mirën e vendit tuaj, duhet të jeni realist sa i përket anëtarësimit në BE, pra, me lejoni të iu them se do t’u duhet akoma shumë vite derisa të bëheni pjesë e BE-së, sepse ka detyra që duhet t’i bëni ju si vend”, tha ai.
Me fjalimet e përfaqësueseve të BE-së nuk u pajtua Sabri Hamiti, i cili pati kritika drejtë BE-së, e cila nuk po u lejon kosovarëve lëvizje të lirë.
“E dëgjova zonjën Apostollova, e cila i tha ato shifrat e famshme që Kosova prej 95 kushteve, 93 i ka plotësuar. Ne s’mund të flasim për Evropën, asnjë gjysmë sekondi edhe të jemi të bindshëm nëse ne nuk kemi lëvizje të lirë, sepse ndalja e një lëvizje të lirë është ndalja e një të drejte universale, evropiane globale njerëzore. Nëse shkelen të drejtat në Kosovë për lëvizje të lirë në Evropë, Evropa është diçka që nuk merret vesh çka është për një njeri të cilit si lejohet lëvizja, prandaj ky problem i 93 dhe 95, nuk e di ky 95 a është fiks, kush din me tregu a është fiks. Nuk besoj që din dikush me më tregu sot për sot, a bëhet nesër 96, sepse ka qenë një rrëshqitje e përhershme e kushteve të reja, që unë i quaj pengesa të reja… I drejtohem zonjës Tanja Fajon, e cila ka përvojë të mirë në këto punë. Ajo e bëri një thirrje të çuditshme që mu duk shumë sfiduese për parlamentin e Koso vës, tha parlamentar mos i bllokoni vizat. Parlamenti i Kosovës as nuk i ka në dorë, as nuk i ka pasur, as nuk do të zhbllokoj, as s’do t’i bllokoj, kjo është politike përmes së cilës mbrohen qeveritë dhe institucionet e ndryshme, për Parlament të Kosovës do t’i kishim vizat që pesë vjet, nuk është ashtu”, tha ai.
E Hamitit iu përgjigj Apostolova, e cila tha se ata duhet ta bindin opozitën që ta votojë demarkacionin.
“Liberalizimi i vizave nuk është proces politik, por pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe BE-së. Janë disa kushte për të cilat kanë rënë dakord së bashku Be dhe Qeveria e Kosovës, kjo nuk është një surprizë, janë 95 kushte, shumica prej tyre janë përmbushur 93 prej tyre, këto kushte janë krijuar gjatë procesit të negocimit… Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, duhet të votohet në Parlament, është ne duar të deputeteve që ta bëjnë atë. Nuk pajtohem me parafolësin që tha se është një gjë artificiale për arsye se është në duart e juaja që ta bindni opozitën dhe personat që janë pjesë e pozitës, e që janë kundër demarkacionit, është në duart tuaja t’i bindni ata. Rinia nuk duhet të mbesin peng i këtij liberalizimi nuk është e drejtë për ta”, tha ajo.
Ndryshe, në këtë samit pritet të flas edhe kryeministri Isa Mustafa./KP