Ish-deputeti i PDK-së dhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla është arrestuar sërish nga EULEX-i në mëngjesin e sotëm. Kurse, gjatë ditë së sotme doli para gjyqtares Jenifer Seal.
Ai u arrestua pasi dyshohet për tentim ndikimit në dëshmitarin 2. Mirëpo në seancë nuk është marrë asnjë vendim lidhur me masën e arrestimit të kërkuar nga prokurori. Vendimi i gjyqtares pritet që të jepet më së largu deri nesër.
Pas më shumë se dy orë seancë dëgjimore, Azem Syla është dërguar në qendrën e paraburgimit në Prishtinë, deri kur të jepet vendimi i gjyqtares.
Pas përfundimit të seancës, mbrojtësi i Azem Sylës, Tomë Gashi, për media ka treguar se prokuroi ka pretenduar që ka fakte se persona të caktuar në emër të Azem Sylës e kanë kontaktuar dëshmitarin.
“Prokurori ka pretenduar që sipas tij ka fakte se persona të caktuar në emër të zotit Azem Syla e kanë kontaktuar një prej dëshmitarëve të mbrojtur, i ashtuquajturi dëshmitari me numrin 2, emirin e të cilit ne mbrojtja e dimë por nuk mund ta themi për shkak të obligimeve ligjore. Sipas prokurorit kjo ka ndodhur me dy shtator. Është pak sa e çuditshme se 14 ditë më vonë edhe pse ky dëshmitar është fotografuar nga policia e EULEX-it, e cila ka qenë në ambientet ku është kontaktuar dëshmitari i mbrojtjes, ende nuk e dinë identitetin e tij apo e dinë pjesërisht identitetin e tij”, tha Gashi.
Gashi ka kundërshtuar pretendimet e prokurorit, duke thënë se Syla nuk ka të bëjë fare me tentimi ndikimin tek dëshmitarët.
“Azem Syla nuk ka të bëjë asgjë me tentimin e ndikimit në dëshmitar dhe besoj se këtë e kemi vërtetuar edhe me prova të cilat prokurori i ka sjellë në seancën e sotme. Prokurori ka sjellë fotografi të dëshmitarit, të personit që ka kontaktuar dëshmitarin, janë fotografi kolor dhe personi fare lehtë mund të shihet, të identifikohet, ndërsa, edhe vetë dëshmitari i mbrojtur ka deklaruar se këtë person e njeh me vite të tëra, kështu që duket paksa e çuditshme pse identiteti i tij nuk është zbuluar apo pse prokurori nuk e ka ftuar atë person, ose pse nuk e ka marrë në pyetje policia për 14 ditë prej ngjarjes që ka ndodhur”, tha Gashi.
Ai ka përsëritur deklarata e më hershme se e respektojnë çdo vendim të gjyqtares, dhe se nëse gjykata vërteton se Syla ka tentuar të ndikojë në dëshmitar, atëherë me siguri do të mund të caktojnë masa të ashpërta.
Se a e njeh personin i cili e ka kontaktuar dëshmitarin, Gashi tha që Syla e njeh babain e tij, pasi që kanë qenë bashkë në burg në kohën e okopimit serb.
Ai rithekson që është e vërtetuar që Syla nuk ka dërguar atë tek dëshmitari as në mënyrë direkte dhe as indirekte. /KP