Aktuale

​Ambasadori Lu: Në Shqipëri jetojnë rreth 20 mijë amerikanë

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka folur për rolin e shqiptaro-amerikanëve në përparimin e Shqipërisë.

Lu tha se sot në Shqipëri jetojnë në mënyrë të përhershme rreth 20 mijë amerikanë. Komentet për diasporën Lu  i bëri në prag të samitit të diasporës që mbahet në Tiranë nga 18 deri në 20 nëntor. “Doja ta filloja këtë intervistë me një histori, – tha zoti Lu.

Është një fotografi e famshme e një djali sirian që u përhap në internet në mbarë botën. Ai ishte plagosur në një sulm ushtarak dhe ishte i përgjakur. Kur presidenti Obama shkoi në Kombet e Bashkuara në shtator, ai foli rreth një fëmije amerikan që quhej Aleks, i cili i kishte shkruar një letër ku i kërkonte ta sillte djalin e vogël sirian në shtëpinë e tij.

“Dua që ai të jetë pjesë e familjes sonë, dhe ai do të jetë si vëllai im”, shkruante Aleksi.

Letra e gjashtëvjeçarit u bë e famshme në mbarë botën dhe të gjithë mësuan se ai ishte shumë i veçantë. Ata nuk e dinin në fakt që ai ishte një shqiptaro-amerikan.

Prindërit e tij janë nga Shqipëria. Kjo më kujton mënyrat e ndryshme me të cilat shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi një vend imigrantësh dhe në Amerikë ka 214 mijë shqiptarë që punojnë në fusha të ndryshme të jetës.

Ata janë atletë, lojtarë hokei, lojtarë futbolli, muzikantë, artistë hip-hopi, regjisorë filmash, biznesmenë, shkencëtarë, dhe ka nga ata që shërbejnë në forcat e armatosura amerikane duke sakrifikuar çdo ditë për sigurinë e vendit tonë. Ne kemi patur politikanë që kanë qënë shqiptaro-amerikanë. Ish-kongresmeni nga Nju Jorku, Joe Dioguardi është shqiptar-arbëresh.

Kryetari i bashkisë së Usterit në Masaçusets dhe ai i bashkisë së Nju Orlinsit në Luiziana janë shqiptaro-amerikanë. Kemi një shqiptaro-amerikane që është një atlete e famshme olimpike: Enkelejda Shehaj është një nga qitëset më të mira në botë.

Ajo mori pjesë në lojrat olimpike të vitit 1992 në Barcelonë dhe mori pjesë atje si përfaqësuese e Shqipërisë. Pas trazirave të 1997-ës imigroi në Shtetet e Bashkuara. Verën e kaluar ajo konkurroi në Rio si amerikane edhe njëherë pas 24 vjetësh. Kemi shqiptaro-amerikanin Ferid Murad i cili fitoi çmimin Nobel në mjeksi në vitin 1998.

Dhe sigurisht, shqiptaro-amerikanët ndoshta më të famshëm janë vëllezërit, Xhim dhe Xhon Belushi, aktorë që unë i kam ndjekur kur isha fëmijë. Të gjitha këto raste më kujtojnë gamën e gjerë të kontributeve që shqiptaro-amerikanët kanë dhënë për vendin tim dhe ky kontribut vetëm sa ka filluar.”