Aktuale

​Agjenda e reformave evropiane ngjallë debat të ashpër në Kuvend

Agjenda e Reformave Evropiane, e cila u miratua në Kuvendin e Kosovës, ka ngjallur debat të ashpër mes deputetëve në seancën e sotme, përcjellur me akuza të rënda për njëri tjetrin.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, e cila para deputetëve foli për agjendën e Kosovës për reformat evropiane, tha se me këtë po synohet të arrihen reforma ekonomike, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë.

“Qëllimi i ARE-së është që të shërbej si dokument formal në dialogun të nivelit të lartë politik mes Kosovës dhe BE-së, që do t’i shtyjë përpara zbatimin e MSA-së dhe reformat e tjera fondamentale që do ta shtyj procesin e aderimit të vendit në BE në një fazë më të avancuar të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe institucionale. Kjo synohet të arrihet duke i dhënë vëmendje më të lartë politike realizimit të reformave ekonomike, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e qeverisjes së mire”, tha ajo.

Nga ana tjetër, deputetja e VV-sëDonika Kadaj Bujupi tha se me zyrtarët e lartë institucional dhe me strukturën aktuale qeverisëse, nuk mund të pritet që agjendat e shkruar nga të huajt, do të sjellin ndonjë ndryshim substancial. Ajo tha se me këtë strukturë dhe mendësi politike, Kosova do të vazhdoj të jetë e mbyllur dhe shumë larg BE-së.

“Kryeministri Mustafa vazhdon t’u jap tender djemve për herë të dytë dhe kjo është në kundërshtim me ligjet e vendit por dhe në kundërshtim me praktikat e BE-së. Si mund të flas një kryeministër për reforma dhe të zotohet për reforma, ndërkohë që në mënyrë të jashtëligjshme t’i jep tender djemve të vet. Kryeministri që është kryetar i LDK-së tani e katër vite nuk e ka bërë publik raportin financiar të LDK-së dhe kjo është një nga pikat kyçe në të cilën flitet në këtë dokument dhe është një nga kriteret kryesore që kërkojnë një trajtim në të gjitha raportet e progresit që përsëriten vit pas viti….Janë emrua gjyqtar, prokuror dhe janë ngritur në detyrë kryesisht njerëz me dosje të përkushtuar në përndjekjen e opozitës….ka vazhduar politizimi i bordeve dhe ndërmarrjeve. Së fundi njerëz politik që iu hodh aktakuza pak ditë para emërimit, erdhi në krye të Shërbimit Inteligjen t të Kosovës. A është kjo reformë dhe a mund të flasim këtu për një zbatim të një agjende të dakorduar në maj të vitit 2016”, tha ajo,

Pas këtyre akuzave, ka reaguar shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së Ismet Beqiri. Ai i quajti shpifje të gjitha ato deputetja Bujupi tha për shefin e tij të partisë dhe kryeministrinë e vendit, ndërsa kërkoi që të mos deklarohen shpifje të tilla vetëm për benefite politike, duke i atakuar të tjerët.

“Dua me i thanë zonjës Kadajt mundet me hy ne web faqe dhe me i pa raportet financiare. Raportet rregullisht janë të dorëzuara në KQZ. Prandaj kjo është e pavërtetë. Asnjë herë nuk mund të nisni ndonjë fjalim pavarësisht pikave, pa tentua me shpif dhe njollos. Nuk është në rregull kësisoj. Unë kisha obligim në emër të LDK0së me thanë që kjo nuk qëndron. Sa i përket çështjes së z. Mustafa kryeministrit të gjithë e dimë që kryeministri nuk jep tender. Nuk jam ai që e mbroj zotin Mustafa sepse e mbron puna e tij. Por nëse ka dyshime, ka abuzime në këto punë janë organet kompetente, jo ne në kuptimin në tentimit të njollosjes së njerëzve ose bartësve të institucioneve”, tha ai.

Ndërkohë, ministria e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se Kuvendi në përgjithësi dhe opozita në veçanti, duhet të njoh të arritur e Qeverisë dhe t’i përgëzojë ata në sukseset që njihen ndërkombëtarisht dhe që sjellin vlerësime në të mirën e qytetarëve dhe bizneseve të vendit

“Sa i përket përmirësimit të mjedisit afarist tani më ndryshimet po njihen nga institucionet kredibile. Po njihen nga BB nga organizatat me renome, e cila në publikimin e sotëm për lirinë ekonomike rendit Kosovën në nivel botëror në poziten e 46 në botë, në Evropë në pozitën e 22 dhe në Ballkan në pozitën e 2-të. Në emër të qeverisë para dy ditëve kam marrë çmim në forumin botëror të investitorëve ‘engjëj’ në Stamboll si qeverisje e mirë në mbështetje të ndermarrësisë…Është shumë keq që këto të arritura nuk njihen nga të gjithë, por është tepër me rëndësi që këto të arritura njihen nga asociacionet e biznesit dhe gjitha bizneset në Kosovë. Nominimin në Forumin botërorë të investitorëve engjëj nuk e kishim bërë ne si qeveri, por rrjeti Kosovar i bizneseve engjëj. Nominimi për qeverinë më të mirë për këtë çmim ka ardhur nga sektori privat“, tha ajo.

Por deputetja Kadaj-Bujupi në replikë me ministren Bajrami tha se është e ‘pabesueshme’ se si ministrja nuk ka pasur frikë që t’u dal përpara bizneseve përderisa dihet se sa i kanë dëmtuar ata.

“Kur ke qenë deputete ke pas një zë kundër këtyre veprimeve. Tash që je ministër je kthye në anën e kundërt. S’po di çka po ndodh! Ke thanë njëherë se je sakrifikua. Po më vjen keq, po tregona tash për 200 mijë vende pune. Mandej punën e djemve të kryeministrit. Ku po mbeten vendet tjera të punës… A jeni taku a s’jeni taku me biznesmenët, por kjo nuk është e arritur bre. Thua shumë shumë arritje e madhe me pas guxim me i taku njerëzit e biznesit tënd. Por kur ta këqyrsh edhe është e arritur, se çka i bëni ju atij biznesi duhet me u tut me u taku me ta masnej, se ua përplasin fytyrës një ditë të gjitha veprimet e juaja”, tha ajo.

E polemikat mes Bajramit dhe Kadajt nuk kishin të ndalur. Bajrami i tha deputetes Kadaj se ka ndryshuar ajo, meqë ka ndryshuar dhe partinë.

“nuk kam ndryshua në fakt asnjë fije. Ndoshta jeni ju ajo që keni ndryshua, duke ndryshua dhe partitë. Ato kritikat që i kam bërë kur kam qenë deputete, po i vë tash komplet në punë“, tha ajo.

Enver Hoti nga Nisma tha se e vërteta është krejt ndryshe, nga ajo që po e paraqet ministrja Bajrami.

“Me të vërtetë ishte kënaqësi me dëgjua ministren duke paraqitur një sukses të Qeverisë. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe”, tha ai

Kjo deklaratë e ka acaruar edhe më tej ministren Bajrami, e cila iu tha se retorikët e tilla pa fakte nuk do t’iu shiten më tek qytetarët.

“Këto retorika ma besoni që është problem që të iu shiten edhe tek qytetarët. kjo qeverisje ajo qeverisje. Ky tender ai tender. Bëhuni konkret o zotni. Unë tregova me shifra, me numra me fakte, me raporte me institucione kredibile..Cila nuk është e vërtetë për ty. Ma thuaj cila nuk është e vërtetë dhe tani debatojmë. Mere dokumentin thuaj ministrja po gënjen”, tha ajo

E deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, nuk kurseu nga kritikat as ministren e sapo emëruar Mimoza Ahmetaj.

“Ministre më vjen keq që sot është dita e parë e punës suaj dhe menjëherë e keni marrë një barrë shumë të rëndë, duke deklaruar dje përmes mediave se demarkacioni duhet të kaloj sa më parë… Ju jeni ministër e emëruar jo e zgjedhur nga populli. Prandaj në pozitën tuaj është mirë që të punoni në drejtimin e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse investitorët ikin nga këtu…Uroj që vërtetë ta kryeni punën e ministres në interes të vendit dhe jo të thirreni në deklarata sa për të thënë”, tha ajo.

Pjesë e debatit në Kuvend ishin dhe deputeti nga radhët e VV-së Faton Topalli dhe Ismet Beqiri. Ky i fundit duke iu referuar fjalimit të deputetit Topalli tha se nuk donë që të merret me deputetët që tri ditë rrinë në Prishtinë e pjesën me tjetër të kohës e kalojnë jashtë vendit, e në Kosovë vijnë kalimthi për të shpërndarë patriotizëm.

Beqiri:S’merrem me ata që kalimthi shpërndajnë patriotizëm

(video)

“E kuptoj misionin e dashakëqijve, ngucakeqëve por po ashtu e kuptoj dhe nuk kam dëshirë fort me u marrë me ata që tri ditë janë në Prishtinë e një muaj në kurbet me pasaportë e tu i kontribua në mënyrë të zjarrtë Kosovës… Për dallim prej të tjerëve që shfrytëzojnë benefite në vende tjera dhe Kosovën e kanë kalimthi sa për të shpërndar ndonjë patriotizëm këtu”, tha ai.

Deputeti Topalli duke iu përgjigjur akuzave të Beqirit tha se ai i ka dy pasaporta, por jo dy fytyra si Beqiri.

“Në fakt unë i kam dy pasaporta, por jo dy fytyra si zoti Beqiri. S’kam përfitua asnjë banesë. Skam pas beneficion ndonjë banesë, siç e ka marrë zoti Beqiri”, tha ai.

Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se auditori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Naim Ibrahimaj, është suspenduar nga detyra për shkak se ka zbuluar se në AKI-i janë keqpërdorur 246 mijë euro, dhe janë punësuar pa test dhe pa konkurs 8 persona. Ai tha se qeverisja s’ka të bëjë me vlerat evropiane, pasi ajo çka ka ndodh në AKI tregon se çka po ndodh në Kosovë me të vërtetë.

“ Naim Ibrahimaj u suspendua sepse në AKI i ka zbuluar tri gjëra shumë të rrezikshme për këtë pushtet, për qeverisje të keqe. Çka paska zbulua ky Naim Ibrahimaj. Së pari ka zbuluar që në AKI janë keqpërdor 246 mijë euro. E ka shkruar një raport kofidencial, që e kanë pasur vetëm dy persona në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi. Ua ka dërgua të dyve, është raport 13 faqe me keqpërdorime të hollësishme brenda AKI-së. E para është faturë me 246 mijë euro keqpërdorime. E dyta, pra keqpërdorimi i dytë brenda AKI-së, është pranimi i 8 personave në AKI pa kurrfarë testi dhe konkursi. Do të kërkoja nga z. Ibrahimaj me publiku këtë raport mos me pas vetëm kryeministri dhe presidenti. Ta kenë krejt deputetët këtë raport. Kur e shohin kryeministri dhe presidenti çka paska ndodh në AKI, çfarë keqpërdorime të tmerrshme dhe që këto të nesërmen kanë me dal në publik, shkojnë dhe para se m e dal keqpërdorimet e shkarkojnë drejtorin e AKI-së Agron Selimaj”, tha ai.

E në mbrojtje të shefit të vet doli dhe deputetja Besa Gaxherri. Ajo tha se fëmijët e gjithsecilit prej tyre kanë të drejtë të punojnë.

“U drejtuat dhe folët për tenderët e djemve të kryeministrit… Se spo du me u shndërrua në avokat të kurrkujt, por na tërë kemi fëmijë dhe fëmijët tanë, a thua vallë s’kanë të drejtë as me u shkollu as me u punësu, as në biznes privat a? Ata kanë një biznes privat para se me u ba baba i tyre kryeministër, e politikanë, dhe ata duhet me punua dhe janë të pavarur. Nuk e di pse ju duhet me u marrë me ta çdo ditë ose me fëmijët e mi, ose unë me fëmijët tuaj. Ju e keni një model shumë konkret çka kishit bërë në qeveri me qenë në komunën e Prishtinës”, tha ajo.

Deputeti i VV-së Glauk Konjufca, në replikë, i tha deputetes Gaxherri se ajo po flet sikur të ishte motra e Adem Grabovcit.

“Sa i përket Besa Gaxherit tash po e kuptoj më mirë, kjo si me qenë motra e Adem Grabovcit diqysh. Në kuptimin që Adem Grabovci pat dal, ky është mentaliteti qeverisës i tyre. Na nëse nuk iu ndihmojnë familjeve tona, nuk i punësojmë djemtë, e tezet e dajat tanë, kë kemi me e punësua në këtë shtet. Ky është mentaliteti i saj”, tha ai.

Duke iu përgjigjur akuzave për qeverisje në Prishtinë, Konjufca tha se ata do t’ua marrin banesat zyrtarëve të lartë të LDK-së, të cilat i kanë marrë kundërligjshëm dhe se ky do të jetë modeli i qeverisjes së tyre në Prishtinë.

“Zyrtarë shumë të lartë të komunës së Prishtinës, banesat e dedikuara për raste sociale këta i keqpërdorin. Nuk kam argument tjetër më të plotë me tregu të vërtetën e qeverisjes së tyre në Prishtinë. Tash çka është e vërteta e lëvizjes së VV-së, këto banesa ka me ia marrë. Dhe uroj që kjo marrje e pasurisë së paligjshme mafioze, të shkoj deri në strukturat më të larta të qeverisë kur VV të vjen edhe në qeverisje qendrore. Ky do të jetë shembulli jonë përmes së cilit do të qeverisim. Njerëzit që e kanë dëmtuar dhe vjedh popullin, duhet me ia marrë pasurinë ”, tha Konjufca. /KP