Dega e AAK-së në Pejë vlerëson se mbajtja e ish kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë është veprim politik, që ndërlidhet me paralajmërimet për dërgim në Kuvend të marrëveshjes për ratifikim të Demarikacionit me Malin e Zi e cila Komunës sonë i heqë 8,200 hektarë tokë të cilat me shekuj janë prona apo janë shfrytëzuar nga qytetarët e Rugovës, Podgurit dhe disa fshatrave të Deçanit.
Kryesia e Degës së AAK-së në Pejë në takimin e zhvilluar sonte ka debatuar ndër të tjerash për çështjen e ndalimit të Kryetarit Haradinaj në Francë dhe për çështjen e Demarkacionit, për të cilën po paralajmërohet dërgimi në kuvend për aprovim.
Kryesia e Degës ka konkluduar se zgjatja e pakuptueshme e ndalimit të kryetarit Ramush Haradinaj në Francë me akuza të fabrikuara nga Serbia, ka arritur pikën e mosdurimit.
“Faktet se Kryetari Haradinaj dy herë ka dalë i pafajshëm për të njëjtat akuza të shpifura nga Serbia nuk po merren parasysh nga Franca, e cila me zgjatjen e procedurave po na sjell tek humbja e mirëkuptimit dhe durimit. AAK-ja deri më tani është sjellë në interes të ruajtjes së miqësisë me shtetin e Francës por bllokimi dy mujor, më as që mund të kuptohet e as të arsyetohet dhe si rrjedhojë po prodhon tension dhe mundësi të reagimeve të pakontrolluara”, vlerëson AAK në Pejë.
“AAK dega në Pejë vlerëson se mbajtja e Kryetarit Haradinaj në Francë është veprim politik që ndërlidhet me paralajmërimet për dërgim në Kuvend të marrëveshjes për ratifikim të Demarikacionit me Malin e Zi e cila Komunës sonë i heqë 8,200 hektarë tokë të cilat me shekuj janë prona apo janë shfrytëzuar nga qytetarët e Rugovës, Podgurit dhe disa fshatrave të Deçanit. Shqetësimin e tyre për Demarkacion qytetarët e Pejës dhe profesionistët e shumët e kanë treguar me protesta, peticion, me deklarimin e degëve e nëndegëve të partive politike, me paraqitjen e fakteve që janë dërguar Institucioneve të Kosovës por edhe me veprime të tjera përfshirë edhe dy rezolutat e Kuvendit të Komunës së Pejës, ku të gjitha partitë politike unanimisht kanë kundërshtuar ratifikimin e peticionit në këtë version aktual. Të gjitha këto Qeveria e Kosovës i ka injoruar duke prodhuar komisione e fakte të pavërteta që kinse Peja nuk po humb territor. Tendencat e tilla na kujtojnë udhëheqësit e Kosovës të vitit 1989 kur deklaronin se Kosova nuk po humb asgjë në momentin që asaj i merrej autonomia.
Dega e AAK-së në Pejë ju bënë thirrje Deputetëve të Kosovës, e veçmas atyre nga Peja që mos të bien pre e asnjë presioni, por të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të mbrojnë sovranitetin e Shtetit të tyre për të cilin edhe kanë mandatit si përfaqësues të popullit.
Deputetët e Kosovës besojmë se kanë obligim të dëgjojnë faktet dhe banorët e asaj pjese por edhe zërin e partive politike të Pejës të cilat unanimisht përfshirë edhe partitë në pushtet që kanë votuar në Kuvendin e Komunës kundër këtij demarkacioni.
Deputetët e Kosovës e veçmas ata nga Peja nuk kanë arsye të mos ju besojnë kolegëve të tyre nga Peja, të cilët duke njohur faktet nuk janë pajtuar me këtë version të Demarkacionit në Kuvendin e Komunës. Ne fuqishëm besojmë në secilin Deputetë të Kosovës e sidomos atyre nga Peja që nuk do të përkrahin sakatimin e një pjese të madhe të Komunës sonë, ngase kjo mund të quhej gjithqysh, përveç veprim patriotik dhe k ryerje me nder e detyrës që kanë si përfaqësues të popullit”, thuhet në komunikatën e AAK-së në Pejë, transmeton KosovaPress.