Kryeparlamentari Kadri Veseli është i vendosur dhe thotë se nuk do të ketë kompromis ndaj uzurpatorëve të pasurisë publike.
Ai ka thënë se shteti, përfundimisht nuk do të jetë më tolerantë ndaj atyre që e shfrytëzojnë një pasuri që s’u takon.
Bile, sipas tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit është dashur shumë më herët që pronat të cilat i ka shitur t’ua jep pronarëve të rinj.
Veseli ka thënë se shprehja “Askush mbi ligjin” nuk do të jetë vetëm formulë teorike, por tash e tutje do të jetë praktikë e zbatueshme.
Në këtë kontekst, ai ka përkujtuar se publikimi i listës me emra të uzurpatorëve prej vet atij, është bërë me qëllimin që të bart mesazhin se ky është vetëm fillimi.
“Prona e huaj kurrë nuk do të jetë e tjetër kujt do të jetë e atij që i takon. Pronësia kujt i takon aty duhet të jetë dhe shteti nuk do të jetë tolerantë ndaj askujt dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin…Askush nuk mund të jetë mbi ligjin edhe kjo nuk do të jetë vetëm formulë teorike, kjo do të jetë praktikë e zbatueshme të cilën është mirë secili prej neve sa më shpejtë ta kuptojë, ligji do të funksionoj barabartë për të gjithë për arsye se pa respektimin e ligjit nuk mund të kemi as zhvillim ekonomik, pa respektimin e të drejtës së pronës nuk mund të kemi as investitorë të cilët vijnë në vendin tonë të investojnë nëse i forti i cenon ose i forti mund t’ia tjetërson pronësinë, për këtë të jemi të sigurt dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë”, tha Veseli gjatë intervistës në Tribuna Channel.
Kreu i Kuvendit ka folur për çështjen e Pallatit të Rinisë, me ç’rast ka thënë se AKP-ja, duhet të ndërmerr masa dhe ta qartësoj situatën më këtë aset.