Refugjatët që janë të strehuar në Gjermani, do t’u nënshtrohen një skanimi të vazhdueshëm të të dhënave nga policia, që arrin deri në kontrollin e aparateve celularë apo edhe rrjeteve të tyre sociale.
Si pjesë e masave të reja antiterror, ministri i brendshëm, Thomas de Maiziere njoftoi se policia kufitare duhet të marrë në dorëzim, telefonat e tyre për kontrolle sigurie.
“Nëse ju doni të pranoheni në Gjermani, do të na tregoni edhe kontaktet tuaja telefonike”, tha ministri i brendshëm.
Masa vjen në një kohë kur është rritur numri i falsifikimit të pasaportave apo mjeteve të tjera të identifikimit të refugjatëve, alarm ky i dhënë nga Europol.
Nga ana tjetër, telefonat janë mjete shumë të vlefshme që i lejojnë të qëndrojnë në kontakt me miqtë dhe të afërmit, e po ashtu në të njëjtën kohë i hapin rrugë policisë të mbledhë informacione potencialisht të rëndësishme.
Kjo është një praktikë e njohur për autoritetet në Danimarkë, Norvegji, Suedi dhe Holandë, të cilat në mënyrë rutinore shqyrtojnë telefonat celularë për të verifikuar identitetin e refugjatëve.