Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, po merr pjesë si i ftuar nderi dhe si folës kryesor në Konferencën vjetore të Institutit për Diplomaci Kulturore, në Berlin.
Nishani në fjalën e tij tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është një ndër projektet më madhore të shqiptarëve.
Pavarësisht sfidave me të cilat përballet Union, kreu i shtetit shqiptarë vuri theksin tek vijimi me përkushtim i reformave që duhet të bëjë si Shqipëria ashtu dhe vendet e rajonit.
“Të gjitha vendet në rajonin tonë, përfshi edhe Shqipërinë duan të jenë pjesë e kësaj familjeje sepse ne besojmë në vlerat, principet dhe standardet që kjo familje ofron dhe demonstron, në drejtim të lirisë, funksionimit të demokracisë, prosperitetit dhe qytetërimit. Ne duhet tu bindim si vend aspirues në BE që politika, qytetarët e thjeshtë, të gjithë ne do të jemi kontribuues në këtë familje, jo thjesht përfitues dhe kjo çështje duhet të jetë në qendër të komunikimit, pasi kultura e komunikimit, dhe e dialogut është e vërteta e thjeshtë për të kuptuar se sa këto vende që aspirojnë të jenë pjesë e kësaj familje japin kontributin e tyre në çështjet e sigurisë, ekonomisë , kulturës dhe civilizimit:, ka thënë Nishani.
Duke folur për progresin e bërë në 25 vitet e fundit të demokracisë, Nishani solli për auditorin edhe dhunimin mizor që përjetoi shoqëria shqiptare për afro gjysmë shekulli nën diktaturën komuniste.
Një vëmendje të veçantë kreu i Shqipërisë ia kushtoi edhe bashkëjetesës dhe harmonisë mes komuniteteve fetare në Shqipëri. Zhvillimet tragjike në Siri e vende të tjera në konflikt ishin një tjetër çështje e trajtuar në konferencë nga Presidenti Nishani. /KosovaPress/