Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme pas provokimeve të fundit që kanë ardhur nga Serbia në drejtim të Kosovës, shprehu një shqetësim tjetër në lidhje me veprimet e këtij shteti.
Ai u shpreh i shqetësuar në lidhje me rritjen e potencialit ushtarak dhe armatimit të Serbisë, që ka ndodhur kohëve të fundit. Hoxhaj tha se edhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiq në vizitat që ka pasur gjatë muajit janar ka folur për armët dhe aeroplanët që ka blerë shteti serb.
“Një shqetësim bazik që unë e kam, që mund ta ndaj me ju në baza të përgjithshme, por jam i gatshëm me të tjerë kolegë nga fusha e sigurisë të ulemi dhe t’ju informojmë në detaje pa kamera. Ka një tendencë permanentë të rritjes së potencialit ushtarak të Serbisë. Dhe ju nëse e shihni se cilin vend e ka vizituar kryeministri Vuçiq, vetëm në janar dhe dhjetor të vitit të kaluar, për çfarë marrëveshje që bëhet fjalë që kanë nënshkruar. Sa “Miga” janë blerë dhe sa raketa të tjera janë blerë. Mund t’ju them me përgjegjësinë më të madhe që balanci rajonal nuk është i njëjti çfarë ka qenë para tre muajsh, dhe kjo për neve është shqetësim”, tha ministri Hoxhaj.
Ai para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, lidhur me raportet Kosovë – Serbi, tha se pas shpalljes së Pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Serbia e ndjek një politike armiqësore dhe ka një qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovë.
“Për neve si Qeveri e Kosovës ka një kontinuitet të politikes serbe agresive në raport me shtetin tonë. Nëse deri në qershori të vitit 1999 Serbia ka ndjekur politika armiqësore ndaj çdo qytetari dhe popullit të Kosovës, pas shpalljes së Pavarësisë në shkurt të vitit 2008 Serbia e ndjek një politikë armiqësore dhe ka një qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovës. Nëse ne e bëjmë një hierarki, nëse ne i vendosim kërcënimet e Kosovës në një lloj hierarkie, kërcënues kryesor i shtetit të Kosovës mbetet edhe më tutje Republika e Serbisë, të cilën duhet ta marrim seriozisht, nuk duhet t’i ngatërrojmë nga një herë këto kërcënime të brendshme. Por, ky është një kërcënues i shtetit të Kosovës, i stabilitetit të Kosovës dhe i paqes në rajon, me një plan afatgjatë”, tha ministri Hoxhaj.
Ai tha se projekti për “Luginën e Diellit” është platformë nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas tij, në këtë platformë po ashtu përmendet edhe një qasje e re ku Serbia kërkon dialog jo me Prishtinën, por kërkon dialog me shqiptarët, që sipas Hoxhajt, është një gjuhë, e cila ka qenë shpeshherë në vitet e ’90-ta.
“Zhvillimet që i kemi pasur në janar të vitit 2017, duhet të shihen një kontinuitet i ri prej asaj se çfarë ka ndodhur në këto gjashtë muajt e fundit. Çfarë kam lexuar gjatë këtyre ditëve të fundit dhe çfarë ka ndodhur në veri të vendit, është e bazuar në një platformë të Qeverisë serbe të miratuar në verën e vitit të kaluar. P.sh. ‘Lugina e Diellit’ si projekt përmendet në këtë platformë. Në këtë platformë po ashtu përmenden edhe një qasje e re ku Serbia kërkon dialog jo me Prishtinën, por kërkon dialog me shqiptarët, këtë nuk e dimë a është fjala me shqiptarët e Kosovës apo edhe për tej shqiptarëve të Kosovës. Që është një gjuhë, të cilën ne realisht e kemi pasur shpeshherë në vitet e ’90-ta”, tha ai.
Ai ka përmendur edhe ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Hardinajt ë bazë të një flet arresti të lëshuar nga autoritetet serbe. Hoxhaj tha se Haradinaj është i pafajshëm dhe drejtësia është në anën e tij. Ministri i Jashtëm ka folur edhe për trenin serb, që për synim ka pasur lëvizjen nëpër territorin e Kosovës dhe cenimin e territorit.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka komentuar çështjen e trenit serb, por për ndalimin e Haradinjat në Francë, tha se është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e Kosovës dhe nuk ka të drejtë shteti i Serbisë të merret me krijimin e aktakuzave apo padive ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, mendoj se është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e Kosovës dhe nuk ka të drejtë shteti i Serbisë të merret me krijimin e aktakuzave apo padisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Është vërtet se treni nuk ka hyrë në Kosovë, por është vërtet se është një atak që ka dashur Serbia ta kryen në shtetin apo sovranitetin e Kosovës ”, tha Lekaj.
Ndërsa deputeti i Nismës, Zafir Berisha tha se politika armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës nuk është ndonjë risi. Mirëpo, ai kërkoi që të ketë qëndrim shteti i Kosovës në raport me të gjitha këto pretendime të Serbisë.
“Unë prita në krejt këto pika që i keni potencuar me dhënë edhe qëndrimin e shtetit të Kosovës në raport me të gjitha këto pretendime, këtë strategji të Serbisë për destabilzimin e Kosovës e kështu me radhë. Se Serbia vazhdon politikën armiqësore ndaj Kosovës nuk është ndonjë risi”, tha Berisha.
Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ndihet i shqetësuar me veprimet e Serbisë ndaj Kosovës, veçmas në këtë periudhën e fundit. Mirëpo, ai kërkoi që të jenë të bashkuar pozitë dhe opozitë ndaj këtyre veprimeve kërcënuese që është duke i bërë Serbia.
“Pa dyshim se të gjithë në kemi qenë të shqetësuar jo vetëm tani veçmas në këta muajt e fundit, dhe në rastet e tilla unë besoi se as pozitë dhe as opozitë nuk do të duhej të kishim asnjë dallim në kuptimin e të qenit gatishmërisë sonë që të veprojmë si shtet karshi provokimeve që janë të vazhdueshme nga shteti serb. Angazhimi për zotin Haradinaj e kemi thënë disa herë dhe është shumë e qartë, arrestimi është plotësisht i pa drejtë. Angazhimi i shtetit tonë dhe i gjithë neve nuk duhet të pushojë asnjë herë derisa Haradinaj të kthehetnë vend”, theksoi Beqiri.
Kryetari i komisionit, Elmi Recica tha se raportet Kosovë Serbi janë përcaktuese jo vetëm neve si shtet por edhe për rajon, dhe çdo acarim apo çdo konflikt ose e kundërta, çdo marrëveshje e ka ndikimin e vet shumë të fuqishëm, në kuadër të dialogut, Kosova ka dëshmuar që është partner i sigurt dhe shtet i cili i përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare./KP/