Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka pritur me shqetësim të thellë kërcënimin e anëtarit të Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, se kur partia e tij të vije në pushtet do t’i ngrehë zvarrë mediet.
Siç thotë AGK, kjo deklaratë është e papranueshme dhe përbënë kërcënim serioz për komunitetin tonë.
“Një deklaratë e tillë nuk do të duhej të vinte në asnjë rast nga një anëtar i një subjekti politik opozitar, si dhe nga një njeri që mban post të lartë publik.
Njëherësh konsiderojmë se përderisa mediet janë ne shërbim të publikut, përkundër dhimbjes dhe dilemave morale që shpërfaq publikimi i materialeve të tilla sensitive, transmetimi ka qenë në interes të publikut. Si rrjedhojë mediat kanë kryer punën e tyre, duke i shërbyer këtij interesi.
Në këtë kohë të rëndë për familjen, kërkojmë nga të gjithë përfaqësuesit politik që të kenë kujdes në përdorimin e gjuhës, pasi në asnjë formë përmes deklaratave të tilla nuk do të mund ta përmirësojnë situatën”, thuhet në reagimin AGK-së.
Njëri nga aktivistet e Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi ka shkruar të premten në Facebook se mediave do t’i vijë fundi bashkë me pushtetin.
“Ju media të pushtetit a po mendoni ndonjëherë që i vie fundi edhe këtij pushteti kriminal. I vie fundi edhe këtij pushteti të Klanit Pronto. Do të ju vie fundi edhe juve bashk me ta. Mos mendoni se harrojmë. Më e pakta që duhet ta mendoni është që zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg o kriminel. Mos na lëndoni më shumë o të pështirë. Nuk ju falim kurr kriminel!” ka shkruar ai.