Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, sot nuk e pati ditën e tij më të mirë. Të shumta ishin kritikat që për të sot patën anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor.
Adem Salihaj, anëtar i komisionit nga radhët e LDK-së, tha se Ministria e Bujqësisë nuk ka arritur ta përmbush planin legjislativ të hartimit të projektligjeve as për dhjetë për qind, dhe kjo është mjaftë shqetësuese.
“Zoti ministër unë mendoj që situata vërtetë është për t’u shqetësuar, flet fakti që nuk keni arritur më shumë se 10 për qind ta realizoni planin legjislativ, të hartimit të projektligjeve. Nuk e di, thjeshtë, gjithë ato departamente që keni në ministri, me çka merren në këtë situatë, nuk procedohen projektligjet që është dashur të procedohen këtu në Komision dhe Kuvend. Ne e dimë të gjithë që gjendjen në bujqësi nuk e kemi aq të mirë. E dimë që nuk kemi sa duhet as grande as subvencione. Megjithatë një menaxhim shumë më i mirë edhe në aspektin ligjor, do të ndihmonte shumë në zhvillimin e bujqësisë“, tha Salihaj.
Edhe anëtari tjetër i komisionit, Salih Salihu, nga Vetëvendosje, tha se gjendja në Bujqësi kurrë nuk ka qenë më e rendë se sa tani. Ai tha seQeveria nuk është e interesuar që këto ligje të kalojnë më shpejtë, të cilat do të ndikonin direkt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
“Me e keqja zoti ministër, ju nuk keni arritur me pru në Kuvend ‘Strategjinë kombëtare për Zhvillimin e Bujqësisë’ 2014-2020. Që katër vite e keni bërë dhe nuk arrini me qit në Kuvend me e miratua. Kjo tregon se sa seriozisht e keni marrë zhvillimin e bujqësisë në Kosovë. Unë iu them me përgjegjësi të plotë, se bujqësia kurrë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se sa është tash. Ta keni parasysh z. ministër me krejt këta ministra që ka Qeveria, sot e keni pru gjendjen që në Kosovë të hyjnë krundet që janë për ushqim të kafshëve e që kanë çmim më të lartë se gruri. Kjo është pasojë e politikave tuaja z. ministër. Importi i grurit në mënyrë të pakontrolluar i cilësisë shumë të dobët nga Devollët, që sipas informacionit që kam 60 shlepera në ditë hyjnë grurë të cilësisë jo të mirë në Kosovë, e ka mbyt prodhimin vendor dhe me çmimi 13 cent nuk ka fermerë kosovar që del me mbjell grurë nëse çmimi i grurit është 13 cent z. ministër… Kompania që importon e din saktësisht është tu deshtë me qit çmimin për toke, që një ditë me i ardh radha e tij dhe në vitin kur importon me pas çmimin optimal. Këto janë planet që i bëjnë kompanitë. Ju e dini mirë shumë mirë kush janë ato kompani. E dini mirë si funksionojnë dhe nuk ndërmerrni asgjë“, tha Salihu.
Nga ana tjetër, vetë ministri Memli Krasniqi u tha anëtarëve të Komisioni se Bujqësia në Kosovë kurr nuk ka qenë më mirë. I Pari i Bujqësisë në Kosovë i ka quajtur jo shumë korrekte kritikat e deputetëve, duke u thënë se jo për gjithçka përgjegjëse është ministria që ai udhëheq.
“ z. Salih shumica e temave që i ngrite janë komplet jashtë kompetencave të ministrisë dhe jam i sigurt se ju e dini. Këto shqetësime janë të drejta, por është jo krejt korrekte me gjuajt përgjegjësinë në ministrinë e Bujqësisë, për çështje që ndërlidhen ekskluzivisht me fushat e përgjegjësive tjera. Ne s’kemi përgjegjësi për import. Ne nuk mundemi me e kontrollua importin. Ne nuk mundemi në kuptimin legal me vendos rregull e kontroll, sepse nuk e kemi ministrinë e Tregtisë as AVUK-un as inspektorët fitosanitar… Ne mund te kemi konstatime qoftë politike apo profesionale, apo të percepcioneve, të cilat mund t’i kemi bazuar në informacione të caktuara, por dhe në mungesë të tyre, por bujqësia asnjëherë nuk ka qenë më mirë, së paku po flasim për vitet e pasluftës”, tha ministri Krasniqi.
Ndryshe, ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, gjatë raportimit para Komisionit tha se në vitin e kaluar nuk kanë arritur ta realizojnë planin për disa arsye që ndërlidhen kryesisht me legjislacionin. E dy ligje që vazhdojnë të jene prioritet, sipas tij, janë Projektligji për ushqimin dhe Projektligji për Pyjet. Krasniqi tha se sa i përket inspektimeve duhet të bëhet kthimi nga niveli lokal në qendror, si dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të kthehet në mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Bujqësisë./KP