Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për ditën e hënë ka caktuar koordinim mes përfaqësuesve të gjitha partive parlamentare.
Nuk përjashtohet mundësia që pas koordinimit, Xhaferi të thirr seancë të veçantë parlamentare, në të cilën do të miratohen ndryshimet e nevojshme ligjore për të zgjatur afatin e kompetencave të krerëve të komunave.
Në takim me gazetarët, Xhaferi apeloi deri te partitë politike që urgjentisht të debatojnë për këtë problematikë ose në të kundërt i gjithë sistemi lokal do të bllokohet. Gjithsesi, sipas tij, edhe nëse ndonjëra prej partive është kundër, ajo nuk mund ta ndalojë procesin e ndryshimit të Kodit zgjedhor.
Sipas Xhaferit, fati i zgjedhjeve lokale varet nga konsensusi i deputetëve. Nëse ka vullnet, komisionet e nevojshme mund të formohen brenda një dite dhe zgjedhjet lokale mund të mbahen shumë shpejt.
Nga kabineti i Xhaferit, një ditë më parë thanë se kërkesën e Ministrisë së pushtetit lokal për marrëveshje urgjente mes partive politike në lidhje me ndryshimet e nevojshme në Kodin zgjedhor, ua kanë dorëzuar të gjithë deputetëve. LSDM-ja kërkon që çështja të zgjidhet në Kuvend. Nga VMRO-DPMNE-ja me propozim konkret kanë ofruar katër data për zgjedhjet lokale, korrikun, shtatorin dhe tetorin.
VMRO – DPMNE propozon katër data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Termini i parë sipas kësaj partie është që në përputhshmëri me afat e parashikuara ligjore të organizohen më 2 korrik. Nëse shumica parlamentare nuk është e gatshme për zgjedhje të shpejta lokale, atëherë si data alternative nga VMRO – DPMNE i përmendin janë 17 ose 24 shtator dhe 15 tetor. Sipas VMRO – DPMNE-së çdo datë tjetër do të ketë pasoja negative tek komunat. Do të përkrahim çdo propozim për të cilin do të vendos shumica parlamentare – u shpreh Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Afrim Gashi nga Lëvizja Besa dhe Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët për Alsat thanë se deputetët e këtyre dy subjekteve politike akoma nuk janë të informuar me kërkesën e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale. Por ato shprehën gatishmërinë për të diskutuar për një zgjidhje.
Mandati katër vjeçar i komunave skadon të hënën. Tashmë është paralajmëruar se pas së hënës do të bllokohen jo vetëm pagat e të punësuarve nëpër shkolla, por edhe shumë shërbime komunale për qytetarët. Gjykata Kushtetuese të mërkurën u deklarua jo kompetente për të shfuqizuar nenin që përcakton afatin katërvjeçar të pushtetit lokal.