Ekonomi

Zbriten çmimet e arkave fiskale për naftëtarët

Kompanitë që merren me shitjen e arkave fiskale kanë zbritur çmimet e pajisjeve për kompanitë që merren me shitjen e derivateve të naftës, për 50 për qind.

Këtë e kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Shoqatës së Arkave Fiskale në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Kestrin Kumnova, përfaqësues i kompanive për fiskalizim, tha se gjitha pompat në Kosovë, pa marrë parasysh sa dispenserë posedojnë mund të fiskalizohen me një çmim prej 3 mijë e 450 euro. Ai tha se kompanitë e fiskalizimit kanë arritur të bëjnë zgjidhje teknikë të reja, në mënyre që të zbresin çmimin e arkave.

“Gjatë tre viteve të kaluar ka pasur një stopim total të procesit të fiskalizimit… Në mars të vitit 2015 ministria e Financave e ndryshoj Udhëzimin Administrativ, i cili i lehtësoj kushtet për kompanitë e reja. Në shtator  të vitit të kaluar kompanitë e arkave fiskale e zbritën çmimin e sistemeve fiskale si dhe bënë një sërë ofertash tjera, mirëpo edhe më tutje kishim kundërshtim nga ana e kompanive të naftës. Në ndërkohë këto tre vite, buxhetit të shteti i është shkaktuar dëm qindra milionësh nga evazioni fiskal. Tanimë të gjitha kompanitë e naftës në Kosovës pa marrë parasysh se sa dispenserë i posedojnë mund t’i fiskalizojnë bizneset e tyre me një çmim prej 3 mijë e 450 euro”, tha Kumnova.

Sipas tij, tashmë nuk ka asnjë arsye që kompanitë që merren me shitjen e naftës të mos fiskalizohen, pasi çmimet janë shumë më të lira.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se Qeveria ka pasur disa rezultate pozitive në aspektin ekonomik por procesin e fiskalizimit e cilëson si dështim. Sipas tij, proceset politike kanë dominuar dy viteve e fundit.

“Jemi në situatë të asaj që agjenda politike është definitivisht duke dominuar në skenën mediale dhe e tëra kjo në njëfarë forme po i lë anash proceset ekonomike të cilat janë më të nevojshme. Në qoftë se kishte me qenë një dështim i cili mund të karakterizohet dhe mund të etiketohet për Qeverinë aktuale, është definitivit është procesi i fiskalizimit”, tha Gërxhaliu.

Ai po ashtu ka kërkuar nga institucionet qeveritare që të bëjnë presion ndaj kompanive që të pajisen me arka fiskale.  Në këtë konferencë ka qenë e paraparë të merr pjesë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili për shkake të agjendës nuk ka mund të merre pjesë.

Përndryshe, sipas të dhënave të shoqatës së arkave deri sot numri i naftëtarëve që janë pajisur me arka fiskale është 600. /KosovaPress/