Aktuale

Xhavit Haliti: Koalicioni nuk i ka votat për ta ratifikuar demarkacionin

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK’së, Xhavit Haliti thotë se koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ai për RTK tha se nëse kjo marrëveshje nuk ratifikohet, do të ketë pasoja për vet shtetin dhe politikanët, pasi mund të prishen marrëdhëniet me ndërkombëtarët, shkruan Gazeta Express.

“Unë kam deklaruar edhe më herët. Unë nuk besoj që i kanë votat deri sot dhe është e vështirë të besoj dhe të pretendoj që i ka votat. Nëse futet për tu votuar në parlament dhe nuk votohet do të ketë pasoja vet Kosova dhe të gjithë politikanët e Kosovës, të cilët kanë tërhequr zvarrë edhe bashkësinë ndërkombëtare. Unë nuk kam dëshirë që ne si parlament edhe si insitutcionet të zvarriteshim siç u zvarrit shqipëria për 2 apo 3 vjet për Reformën në Drejtësi”.

“Do të ketë pasoja vet Kosova nëse ne i acarojmë marrëdhëniet me vet ndërkombëtarët dhe duhet ta keni parasysh që Mali i Zi është ftuar që të jetë anëtar i NATO’s dhe kur të bëhet anëtarë, kushdo që ngacmon Malin e Zi, ka ngacmuar edhe NATO’n”, tha Haliti.