Aktuale

VMRO sërish kërcënon partinë e Ahmetit

​VMRO DPMNE-ja ka vijuar kërcënimet ndaj partisë së Ahmetit përmes komunikatave pasi kjo e fundit nuk i dha mbështetje për formimin e qeverisë, ndërkohë që ka përsëritur edhe kërkesën për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Partia e Gruevskit sot ka kujtuar BDI-në se pa ndihmën e saj strategjike gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, BDI nuk do të mund të fitonte në shumë komuna.

“Në zgjedhjet e kaluara lokale ishte sfidë e madhe që BDI-ja të fitonte në disa komuna strategjike për këtë parti dhe mirë e kujtojmë rolin dhe përkrahjen e VMRO – DPMNE-së për BDI-në, por prapë se prapë kjo është punë e BDI-së. Do të vijnë zgjedhjet lokale dhe do ta shohim nëse vlerësimi i tyre është i saktë ose jo”, theksojnë nga VMRO – DPMNE.

Ndërkohë VMRO DPMNE-ja platformën e shqiptarëve e ka cilësuar të rrezikshme për shtetin. Sipas kësaj partie, partitë politike në vend bashkë me komunitetin ndërkombëtar janë kundër ri-negocimit të Marrëveshjes së Ohrit sepse një gjë e tillë do të hapte Kutinë e Pandorës. Ky hap sipas tyre mund të nxis që edhe bashkësitë e tjera etnike përshirë edhe maqedonasit në të ardhmen të dalin me platformën e tyre.

Për sa i përket zyrtarizmit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, nga VMRO-ja thonë se me BDI-në kanë diskutuar për avancimin e përdorimit të shqipes vetëm në nivel lokal por se zbatimi i saj në tërë territorin është i papranueshëm.

BDI dhe VMRO – DPMNE janë pajtuar të diskutojnë për përmirësimin e ligjit për gjuhës në komunat ku komunitetet tjera janë mbi 20%.

Për VMRO – DPMNE-në siç kanë të rëndësishëm shqiptarët, janë të rëndësishëm edhe turqit, romët, serbët, boshnjakët, vllehët.

Nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe nuk ka logjikë me realitetin në terren që të ketë dygjuhësi në tërë Maqedoninë.