Lëvizja Vetëvendosje sot ka hapur fushatën zgjedhore në Besianë, ku janë prezantuar kandidatët për Asamblenë Komunale dhe kandidati për kryetar të Besianës, Ajet Potera.
Ish lideri i VV-së, Albin Kurti tha se VV është themeli ideor, është parimi shoqëror, është projekti kombëtar dhe është projekti jonë politik.
“Pa vetëvendosje nuk ka demokraci, e kur fiton VV, fiton demokracia. Partitë e tjera duan ta marrin pushtetin, për ta ndarë buxhetin për familjarët e vetë”, tha Kurti dhe shtoi se me fitoren e VV-së dhe asamblistëve të VV-së, nxjerrët Besiana nga keqqeverisja.
“Lumi Llap sot kundërmon dhe është bërë burim infeksionesh, por me Poteren do të pastrohet deri të mund të peshkohet. Ajet Potera është njeriu i duhur, që ia dinë vlerën artit dhe kulturës. Me Ajetin merr fund punësimi me bazë të mbiemrit, e në baza partiake”, premtoi Kurti.
Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, tha se Besiana është komuna që ka numrin më të madh të fshatrave, por banorët e fshatrave nga pushteti aktual shihen vetëm si dorë e dyte.
“Në fshatra mungojnë edhe shërbimet bazike të pushtetit lokal. Komuna e Besianës ka mbetur e pazhvilluar gjatë gjithë këtyre viteve, pushteti nuk ka punuar që këtë rajon ta lëviz në shekullin 21, por e ka kthyer në shekullin 18”, theksoi Ymeri.
Ai shtoi se ndarja e subvencioneve nga komuna janë diskriminuese, kurse për kryetarin aktual Agim Veliu, ka thënë se është njeriu më besnik i PDK-së në LDK, dhe aktivisti më i fortë i LDK-së që e ka PDK, “ai është urë lidhëse mes këtyre dy partive”.
Deputetja nga VV, Albulena Haxhiu tha se për fat të keq Besiana e ka përjetuar njërin nga modelet më të këqija qeverisëse.
“Qeveritarët e deritanishëm e lanë këtë qytet të margjinalizuar, por më 11 qershor llapjanët e treguan vendimin e tyre, ku u votua për çlirim. Tani në prag të zgjedhjeve të 22 tetorit po bëhet gati të çlirohet përfundimisht, pasi në krye të kësaj komune do të vijë Ajet Potera. Komuna nën drejtimin e tij do të jetë komunë e të gjithëve”, tha Haxhiu.
Ndërsa, kandidati i kësaj partie për kryetar të Podujevës, Ajet Potera tha se Llapi që shquhet me një histori të bujshme, është katandisur nga pushtet-mbajtësit aktual.
“Koha është që kjo të ndryshojë. Në dorën tuaj është mundësia që bashkë të nisemi rrugës që bashkë e meritojmë, për një ekonomi të shëndosh e gjithëpërfshirëse, një edukim meritor. Bashkë mund të ja kthejmë shpresën qytetarëve tanë. Si bazë të veprimit tonë ta shporrin militarizmin, klientelizmin”, tha Potera, raporton KosovaPress.