Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thirrur në takim sot nga ora 10:00 liderët e partive politike për arritjen e konsensusit nacional për dialogun me Serbinë.
Mirëpo, ftesës së Veselit deri më tani nuk i janë përgjigjur pozitivisht partitë opozitare.
Partia më e madhe opozitare në vend, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se ende nuk ka qëndrim zyrtar sa i përket kësaj ftese, por sipas zyrtarëve të kësaj partie me gjasë përgjigja do të jetë negative.
Kështu tha Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, njëherësh edhe deputeti i kësaj partie, Ismet Beqiri.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me anëtarë të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por të njëjtit nuk kanë treguar se a do të marrin pjesë në takim.
Anëtarja e kryesisë së LVV, Tinka Kurti, përkundër që ka thënë se do të përgjigjet brenda disa orëve, nuk ka kthyer përgjigje dhe nuk u është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
As nga Partia Social Demokrate (PSD) nuk u bë e ditur nëse do të marrin pjesë në këtë mbledhje.
Zëdhënësi i kësaj partie Shkodran Hoti ka thënë se nuk ka informacion se a kanë marrë një ftesë të tillë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), edhe pse është pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike që udhëhiqet nga Veseli, ende nuk kanë një qëndrim zyrtar se a do të merre pjesë në takim. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ndonëse ka thënë se ende nuk e kanë shqyrtuar se a do të marrin pjesë apo jo, tha se qysh në fillim të tryezave me partitë politike janë shprehur të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre.
Sipas ftesës, thuhet se takimi do të mbahet sot, në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës. Takimi do të jetë i mbyllur dhe secili subjekt politik do të përfaqësohet në bazë të formatit 1+1.