Aktuale

USAID-i ndihmon Kosovën me 30 milionë dollarë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me ambasadorin e SHBA-së Gred Delawie dhe shefin e USAID-it në Kosovë James Hope, kanë nënshkruar grantin prej 30 milionë euro, që do të shërbejë për ngritjen e kapaciteteve në sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, nxitjen e investimeve dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Kreu i shtetit theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së sotme tregon për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Marrëveshja e sotme mes Kosovës dhe SHBA-së është edhe një hap përpara e mbështetjes së fuqishme që SHBA i kanë dhënë konsolidimin e shtetit të Kosovës në rrafshin e sundimin e ligjit, zhvillimit ekonomik, për çka iu jemi mirënjohës ambasador. Këto ditë të fundit të këtij viti janë shumë pozitive për Kosovë, para se gjithash kur nesër do të nënshkruar edhe marrëveshja tjetër në sektorin energjetik për Kosovën e Re, një investim ky i 1. 3 miliardë euro që do të bëhet nga investitorët amerikan ‘Contur Global’ në Kosovë. Ky është mesazhi më i mirë që mund të buron Kosova në prag të 10 vjetorit të pavarësisë por edhe të mesazhit atmosferën e mirë në Kosovë për investitorët e huaj”, tha Thaçi.

Ndërsa ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie tha se ky vit ka pasur të arritura të rëndësishme për Kosovë. Madje, ai zhvillimet e këtij viti në Kosovë i quajti mbresëlënëse, porse duhet ende punë.

“Kosova këtë vit ka kaluar nëpër zgjedhje të qeta, ka pasur kalim tek qeveria e re, pastaj kemi qenë po ashtu dëshmitar të Kosovës si njëri ndër dhjetë shtetet reformuese sipas raportit të BB-së të të bërit biznes. Kemi pasur integrimin e gjykatave të Kosovës, e siç e përmendi edhe vet presidenti nesër do ta kemi shënimin e përmbylljes së njërit prej investimeve me të mëdha në Kosovë, që është investim privat që do të mundësoj furnizim të sigurt me energji elektrike. Të gjitha këto janë rezultate mesë mbresëlënëse, por në anën tjetër ne duhet ta vazhdojmë rrugëtimin e reformave sepse ka punë ende për t’u siguruar që Kosova po ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane”, tha Delawie.

Me tutje Delawie tha se kjo marrëveshje tregon për punët e përbashkëta që i presin në vitin 2018 për zhvillimin e Kosovës në shumë fusha.

“Ceremonia e sotme e bënë pikërisht këtë gjë, këtë zotim, na tregon çfarë pune të përbashkët duhet ta bëjmë në vitin 2018, sepse kjo marrëveshje shtone dhe mbi 30 milionë dollarë amerikan për aktivitetet e USAID-it që do të jenë në sfidat kryesore të zhvillimit të Kosovës. Avancimin e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë, rritjen e ekonomisë së larmishme, që krijon investime dhe vende pune, si dhe për fuqizimin e kosovarëve të rinj me zotësi akademike dhe profesionale në mënyrë që ata të jenë gjenerata e ardhshme e prijësve të Kosovës”, theksoi ai.

Delawie shtoi se partneriteti për zhvillim mes Kosovës dhe SHBA-ve është i fuqishëm pasi prej me shumë se 20 viteve shteti i tij e ndihmon Kosovën në fusha të ndryshme./KP