Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se ende ka hendek mes komuniteteve në Kosovë. Ai tha se ndasitë që ka shkaktuar lufta ende janë gjallë.
Në takimin e dytë konsultativ të Komisionit për Pajtimin dhe të Vërtetën Thaçi tha se Ballkani ende është peng i narrativëve të luftës.
Sipas presidentit shoqëria kosovare nuk mund ta ndërtojë të ardhmen pa shërimin e të kaluarës.
Kreu i shtetit tha se synimi i këtij komisioni është e vërteta, e cila shëron shoqëritë nga hakmarrja dhe urrejtja.
Thaçi tha se komisioni nuk është zëvendësim i drejtësisë por mund ta ndihmojë drejtësinë dhe ndëshkimin e krimit. Ai tha se e vërteta do të zbulohet për të gjithë sado e hidhur mund të jetë ajo.
Thaçi tha se pajtimi nuk mund të bëhet mbi harresën e të kaluarës. Këtu tha presidenti është fjala për pajtim të brendshëm dhe jo zëvendësim të dialogut që po zhvillohet në Bruksel./KosovaPress/