Rajon & Botë

Spanja i rihap kafenetë në disa rajone pas rënies së numrit të viktimave

Kamerierët me maska në fytyrë shërbyen kafe dhe senduiçë “bocadillo” në hapësirat e jashtme të kafeneve në Sevijë të hënën në mëngjes për herë të parë pas një  kohe të gjatë të izolimit pasi qeveria spanjolle i lehtësoi masat kufizuese.

“Jam shumë e lumtur, vërtet doja të punoj. Kemi qenë të mbyllur për dy muaj”, tha kamerierja Marta Contreras, duke buzëqeshur prapa maskës. Ajo punon në një kafene në qendër të Sevijës, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Rreth gjysma e 47 milionë banorëve të Spanjës shënuan përparim në fazën e parë të planit katër-pjesësh të qeverisë për lehtësimin e masave të kufizimit pasi qeveria qendrore vlerësoi se ata i kanë përmbushur kriteret e nevojshme.

Megjithatë, qytetet si Madridi dhe Barcelona, që janë prekur rëndë nga koronavirusi, ende nuk janë përfshirë në lehtësimin e masave dhe kafenetë në ato vende po vazhdojnë të mbahen të mbyllura.

Edhe kishat i rifilluan shërbimet kishtare, por me numër të kufizuar të personave që mund të futen brenda njëkohësisht. Besimtarët duhet të mbajnë largësi prej dy metrash nga njëri-tjetri.

Pjesë e lehtësimit të masave është edhe lejimi i tubimit të njerëzve deri në dhjetë persona në një vend, të cilët gjithashtu mund të udhëtojnë lirshëm në tërë territorin e provincës ku jetojnë.

the authorGazetaKNN