Aktuale

Sot votohet në Maqedoni

Sot në Maqedoni do të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, kur për shumë ditë rresht, partitë dhe koalicionet u munduan t’i bindin qytetarët që të votojnë për ta.

Partitë shqiptare ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, edhe kësaj here janë të ndarë në disa parti dhe koalicione.

Fushata elektorale në Maqedoni, është karakterizuar nga akuza të rënda mes partive politike, ndërsa tonet nacionaliste kanë qenë të pranishme gjatë të gjithë kohës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka apeluar te qytetarët amerikanë në Maqedoni të jenë të kujdesshëm, për shkak të mundësisë së incidenteve gjatë zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Muaj më parë ish-kryeministri Gruevski dha dorëheqjen me synimin për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërsa vendi deri më tani ka qenë nën udhëheqjen e një qeverie teknike, në krye me Emil Dimitriev.

Zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në Maqedoni, bazuar në krizën e thellë politike në të cilën ndodhet vendi prej dy vitesh, vlerësohen si më të rëndësishme që nga pavarësia e saj 25 vite më parë, transmeton KosovaPress.