Aktuale

Sot varroset 4-vjeçarja që mbeti e vdekur nga goditja e veturës

Një 4-vjeçare është goditur dje për vdekje nga një veturë në qytetin e Podujevës. Si pasojë e goditjes nga vetura, ajo ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Viktima ishte duke lëvizur në qendër të qytetit të Podujevës, së bashku me nënën e saj, në momentin kur është goditur nga vetura, kanë thënë familjarët e viktimës.

E lënduar rëndë por jashtë rrezikut për jetë ka mbetur edhe nëna e 4-vjeçares e cila është duke u trajtuar ende në kujdesin intensiv në QKUK.

Rastin e ka konfirmuar edhe policia, të cilët kanë thënë se vdekja e viktimës është konstatuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Këtë aksident e ka shkaktuar shoferi i një automjet të tipit Golf, i cili është arrestuar dhe është në ndalim prej 48 orësh.

E 4 vjeçarja sot do të varroset në varrezat e fshatit Sibofc i Poshtëm. Varrimi nis në ora 17:00.