Aktuale

Shtylla elektrike në rrugë që 10 ditë, askush nuk e largon

Një shtyllë e ndriçimit është rrëzuar tash e dhjetë ditë afër parkut “Adem Demaçi” në qendër të qytetit të Mitrovicës, si pasojë e motit të ligë, por pavarësisht kësaj KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse, edhe pse janë në dijeni për këtë problem, askush nuk ka ndërmarrë asgjë.

Qytetarët thonë se kjo shtyllë, e cila u rrëzua nga erërat e forta, po paraqet pengesë për qarkullimin e qytetarëve, por edhe rrezik për ta. Remzi Nimani, qytetar, duke mos mohuar mundësinë e rrezikut nga telat e rrymës, tha se kjo shtyllë po i pengon qytetarët dhe automjetet, sidomos taksitë, të cilat parkohen aty.

Sipas tij, përkundër faktit se KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse janë në dijeni për këtë, askush nuk ka ndërmarrë asgjë që dhjetë ditë.

“Kjo ka ndodhur para 10 dite, kur ka qenë një furtunë, shi i madh që ka ra, edhe era e ka rrëzuar shtyllën elektrike. Kanë qenë policia, këta të KEDS-it, kanë shikuar, ne pak e kemi skajuar, përndryshe sot e asaj dite askush nuk merr masa. Po i pengon qytetarët, automjetet, ndoshta është rrezik se ka edhe rrymë”, ka thënë Nimani për KosovaPress.

Edhe Sokol Jonuzi, një qytetar tjetër nga Mitrovica, ka bërë të ditur se shtylla e rrëzuar paraqet pengesë për qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve në këtë vend, por edhe rrezik.

“Qe 10 ditë është rrëzuar kjo shtyllë kur ishte era e madhe, nuk ndërmerr askush gjë. Ka edhe rrymë, ashtu që ka mbet…Edhe qytetarët dhe çdonjërit i pengon, sidomos neve që punojmë këtu”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në komunën e Mitrovicës, Besnik Beka, ka thënë për KosovaPress se Komuna ka ndërmarrë masa të menjëhershme në izolimin e telave të rrymës, duke eliminuar rrezikun për qytetarët.

Sipas tij, edhe pse kompanisë së kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtjen e ndriçimit publik i ka skaduar kontrata, ai premtoi se ky problem do të zgjidhet brenda dy ditësh.

“Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë masa në izolimin e telave që kanë qenë të vendosura në shtyllë… Komunës së Mitrovicës në vitin 2016 i ka skaduar kontrata për mirëmbajtjen e ndriçimit publik. Ne kemi hyrë në kontratë me një kompani të re për ndriçim publik, mirëpo ai si kontraktues i Komunës nuk e ka obligim për t’i ndërruar shtyllat, përveç trupit ndriçues. Dhe për këtë fakt është një status-quo ku ne duhet të kontraktojmë një kompani vetëm për mirëmbajtjen e shtyllave në kuptimin pa ndriçim. Shtylla besoj që brenda dy ditësh largohet”, tha Beka. /kp

Lidhje me këtë shkrim ka reaguar KEDS-i, ku ka thënë se këto shtylla nuk janë përgjegjësi e KEDS-it, por e kuvendit Komunal.

Ja reagimi i plotë i KEDS-it lidhur me këtë artikull:

Reagim ndaj artikullit “Shtylla elektrike në rrugë që 10 ditë, askush nuk e largon”

KEDS edhe njëherë po përballet me mosgadishmërinë e mediave për të qenë profesionale siç ua kërkon profesioni dhe Kodi i Etikës.
Krejt ajo çka ne jemi duke kërkuar vazhdimisht nga mediat është që të kërkojnë edhe prononcimin tonë, kur bëhet fjalë për lajme apo reportazhe që kanë të bëjnë me përgjegjësitë ose emrin tonë.
Megjithatë edhe më 22.06.2017 u përballëm me një artikull me titull: “Shtylla elektrike në rrugë që 10 ditë, askush nuk e largon”, që është publikuar edhe në mediumin tuaj, e ku flitet për një shtyllë të ndriçimit publik të rrëzuar që disa ditë në qendër të Mitrovicës.
Në artikull që në fillim thuhet: “Një shtyllë e ndriçimit është rrëzuar tash e dhjetë ditë afër parkut “Adem Demaçi” në qendër të qytetit të Mitrovicës, si pasojë e motit të ligë, por pavarësisht kësaj KEDS-i, policia dhe institucioneve tjera gjegjëse, edhe pse janë në dijeni për këtë problem, askush nuk ka ndërmarrë asgjë”.
Është e ditur, por po ua bëjmë me dije edhe njëherë që shtyllat e ndriçimit publik nuk janë në asnjë formë përgjegjësi e KEDS-it, përveç faktit që i furnizon me energji elektrike.
Për më tepër këtë e vërteton edhe zyrtari komunal në artikullin e njejtë.
Andaj nëse nuk është ditur ky fakt, ka qenë e mundur që të mësohet nga kjo intervistë.
Për më tepër emri i kompanisë tonë KEDS përmendet edhe dy herë tjerë në kontekst të akterëve përgjegjës për moslargimin e kësaj shtylle.
Për juve ky mund të jetë një gabim i vogël, por duke pasur parasysh se ne jemi një kompani me përgjegjësi për distribuimin e energjisë në gjithë Kosovën dhe duke pasur parasysh numrin e madh të punëtorëve që varen nga operacionet toina, dëmet që na shkaktohen neve si në imazh dhe në punë janë shumë të mëdha.
Andaj ju lutemi edhe njëherë që të respektoni Kodin Etik të KMSHK-së dhe KPM-së dhe të na kontaktoni për një prononcim apo sqarim në artikujt që kanë të bëjnë me punën tonë.