Mëngjesin e sotëm një sasi eksplozivi ka shpërthyer në banesën e një efektivi të policisë së Rinasit
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 në Fushë-Prezë, ndërsa raportohet se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale.
Eksplozivi sipas të dhënave të para nga grupi hetimor ishte vendosur në katin e dytë të banesës së efektivit të policisë me inicialet A. K.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes, ka marrë në pyetje policin për konfliktet që ka pasur dhe po punon për identifikimin e autorëve të ngjarjes.
“Më datë 25.11.2016, rreth orës 02:25, ka ardhur një telefonatë tek numri i emergjencave 112, në Fushë-Prezë, është dëgjuar një shpërthim.
Menjëherë janë dërguar Shërbimet e Policisë, të cilët kanë konstatuar se në katin e dytë të banesës së shtetasit A. K., me detyrë Punonjës Policie në Rinas, dyshohet se i kanë vendosur një sasi të vogël lëndë eksplozive.
Nga shpërthimi i kësaj lënde të dyshuar eksplozive, ka pasur vetëm dëme të lehta materiale.
Grupi hetimor, në vendin e ngjarjes, po punon për identifikimin e autorëve të mundshëm të kësaj vepre”, njofton policia.