Lëvizja “Vetëvendosje” bën të ditur se Policia e Kosovës po mban në stacionin policor në Besianë pesë aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” me dyshimin se kanë qenë autorët e grafiteve për Astrit Deharin, shkruan Gazeta Express.
“Aktivistët: Nurije Demaliaj, Nol Nushi, Blerim Maqestena, Abër Sfishta dhe Kreshnik Gega u shoqëruan për në polici pasi kishin bërë grafite që kërkojnë drejtësi për aktivistin Astrit Dehari që vdiq në burg më 5 nëntor 2016, derisa po mbahej aty si i pafajshëm e me akuza të montuara politikisht”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes”.
Sipas saj, arrestimi i aktivistëve sot është skandal i radhës i këtij pushteti.
“Askush nuk mund ta ndalë këmbënguljen për drejtësi”, është theksuar në komunikatë.
