Rajon & Botë

Shënohet Dita Ndërkombëtare e fëmijës vajzë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, Qendra për Art dhe komunitet ‘Artpolis’ organizon Panelin “Prona dhe vajzat”.

Në një njoftim për media thuhet se ky organizim ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit mbi të drejtat pronësore të grave.

“Ky Panel synon të ngris diskutime mbi të drejtat e grave për pjesëmarrje në trashëgimi familjare të garantuara me ligj si dhe ndikimet nga tradita dhe norma të ndryshme shoqërore mbi zgjedhjen e pjesëmarrjes ose jo në trashëgimi familjare”, vazhdon njoftimi.

Paneli do të shoqërohet edhe me një pjesë nga shfaqja “Çështje Zakoni”, që inkurajon zbatimin e të drejtës trashëgimore nga ana e grave.

“Ky Panel organizohet në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit mbi të drejtat pronësore të grave përmes artit” dhe përkrahet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC”, përfundon njoftimi. /KosovaPress/