Kundër shtatë shtetasve të Maqedonisë të moshës prej 23 deri 38 vjeç është parashtruar padi penale për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër “pjesëmarrje në organizatë terroriste”.
Katër prej tyre dje janë arrestuar dhe janë nxjerrë para gjykatësit hetues dhe për ta është parashtruar propozim për përcaktim të masës së paraburgimit në kohëzjgatje prej 30 ditësh. Njëri nga personat ndodhet në arrati, ndërsa për dy të tjerët ekzistojnë njohuri operative se ende ndodhen në territorin e Sirisë.
Në mesin e të dyshuarve, pesë janë nga Shkupi, një nga Tetova dhe një nga Kumanova.
Janë kapur B.G. (23), F.I. (31), E.U. (36) dhe M.M. (38), prëderisa B.S. (32) ndodhet në arrati, kurse për S.R. (26) nga Shkupi dhe S.I. (27) nga Kumanova konsiderohet se ndodhen në Siri.
Zëdhënësja e Minsitrisë së Punëve të Brendshme Dejana Nedeljkoviq dje në konferencë për shtyp informoi se aksioni i policisë ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit, me ç’rast janë bastisur shtatë lokacione në Shkup dhe në Tetovë dhe janë gjetur pesë desktop kompjuterë, dy laptop kompjuterë, 19 telefona celular, mbajtës për SIM kartela, nëntë USB stiqe, 50 CD, kartela memorike, maskë mbrojtëse, tre dokumente udhëtimi, maicë me shkrim në gjuhën arabe “Shteti islamik është i përjetshëm”.
Siç sqaroi Nedeljkoviq, personat janë kthyer në Maqedoni kohë më parë dhe tashmë një periudhë më të gjatë janë ndjekur nga ana e policisë.