Aktuale

Protestë në ditën e gruas në Prishtinë

Qindra gra e burra protestuan sot në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku u tha se gruaja vazhdon të jetë e diskriminuar në Kosovë.

Qytetarët me pankarta në duar ku thuhej “Punë për mu, çfarë pune du”, “Poshtë diskriminimi”, “Punë për persona me aftësi të kufizuara”,  “Sigurim shëndetësor publik”, e të tjera, marshuan nëpër disa rrugë të kryeqytetit për t’u ndalur para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Shukrie Rexhepi nga SBASHK-u, tha se karakteristika e kësaj dite është që të bëjnë thirrje për ndryshime dhe për t’i shënuar sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë.

 

“Dita ndërkombëtare e grave është ditë në të cilën duhet të reflektuar për progresit e arritura njëherit për të bërë thirrje për ndryshime dhe arritje të reja..Karakteristik për të shënuar obligimet e kësaj dite janë: gratë në Kosovë ende përballen me shumë sfida, gratë janë ato që më së shumti hasin në punë me kohë të shkurtuar, ekziston një rrezik i madh i varfërisë të mesë moshës…Punojmë me orarë të zgjatur në punë, krahas të gjitha obligimeve të tjera familjare” tha Rexhepi.

Adelina Tershtani e cila është aktore me profesion u ndie shumë e mllefosur në këtë marsh, pasi që shprehi gjithë mllefin për ato gjëra që i ndodhin një femre në punë, si ngacmimi seksual për të cilën po fliste ajo.

Tershani gjithashtu u shpreh se logjika patriarkate i ka lënë mbrapa shumë njerëz duke menduar se gruaja mund të jetë vetëm një amvise dhe asgjë më shumë.

 

‘’Për mos me hup mundësinë me u pranu në market si punëtore unë duhet me pas edhe fotografinë që kërkohet në CV ‘’aplikacionet të cilat nuk përmbajnë fotografinë nuk shqyrtohen fare nga stafi ynë’’, kjo ke përgjigja që e mora, thash a ka rëndësi qysh dukem a çka di me bo. Para se me të pranuar në punë duhet me të shiku mirë çka din me bo ma mirë, tu e end shikimin e tij nëpër tanë trupin tim, sikur me kanë ndonjë pikturë e vendosur aty me u shiku për qef….Gruaja nuk punon është amvise, kur e thotë këtë harron që kur shkon në shtëpi bukën e ka gati, shtratin ka gati, fëmijët i ka rahat, shtëpinë e ka të fshime, punë gruaje që nuk paguhet, po s’ka faj, logjikë patriarkati,…gruaja duhet me u merr me fëmijë se ajo është  nëna e ti që je baba, hala po tutësh që ka me të ikë burrnia nëse ti merresh me fëmijët e tu a?. Logjikë patriarkati që t’ka lanë mbrapa edhe ty, se ndryshe ti m a kishe hjek hijen e të qenurit hyjni, se hyjnit priten me qenë të pagabueshme, unë gaboj, unë punoj, unë bërtas, unë marrë hise, unë flas pa lejen tënde se unë jam njeri” u shpreh Tershtani.

Organizatorja e këtij marshi, Aferdita Kaqiu e quajti shumë të vështirë shprehjen për barazi gjinore në një vend ku nuk ka as barazi njerëzore.

Kaqiu gjithashtu tha se pa barazinë e shohim qysh në lindjen e një vajze, ku shumica e personave dëshirojnë që ai fëmijë të jetë djalë edhe pse nuk e shprehin.

 

“Të flasësh për barazi gjinore në një vend ku nuk ka as barazi njerëzore është shumë e vështirë. Një grua diti të jetë edukatore,diti edhe të kap pushkën në mbrojtjen e atdheut, ashtu si e ndjeu në momente të caktuara, diti edhe të rrisë fëmijët duke sakrifikuar jetën e tyre siç është rasti i grave të Reçakut…Pa barazinë e shohim në lindje edhe po se thanë në mendje e mbajnë ‘’sikur të ishte djalë’’, më pas gjatë lojës fëmijërore, gjatë adoleshencës, gjatë rinisë edhe më shumë ndihet kjo pabarazi kur bëhet grua e më mirë të them kur bëhet nënë gjë me të cilën nuk pajtohemi” tha Kaqiu.

Këtij marshi i është bashkangjitur edhe deputetja në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, e cila tha se sot më shumë se kurrë një grua ka nevojë për mbështetje, pasi që shumica e grave në Kosovë janë të shtypura dhe shumë pakë të punësuara.

 

“Edhe si pjesa tjetër në Kosovë edhe gruaja ka nevojë sot më shumë se kurrë ka nevojë që të protestoj në mënyrë që të drejtat e saj, roli i saj dhe mundësit të cilat ajo duhet t’i ketë në shtetin e Kosovës të vinë në shprehje më shumë më shpejtë dhe më saktë. Gruaja vazhdon të jetë e diskriminuar, vetëm 12% e grave të Kosovës janë të punësuara, vetëm 2-3% e tyre e gëzojnë të drejtën e pronës, janë të varfra, të përjashtuara dhe kemi jashtëzakonisht shumë dhunë në familje dhe mbi të gjitha kemi shumë probleme socio-ekonomike për të cilat ajo më shumë se kurrë duhet të ngritët në këmbë, të ngris zërin e saj dhe të protestoj” tha Kadaj-Bujupi.

Këtë marsh e mbështetën edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje si Albulena Haxhiu, Shqipe Pantina, Visar Ymeri etj.

Marshi “Marshojmë S’festojmë”, u organizua nga kolektivi qytetar “Marshojmë S’festojmë”, që ishte iniciativë qytetare që synon të jetë zëri për të shtypurat në shoqëri./KP