Gjykata e Apelit e Kosovës njoftoi të martën se gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 ka kryer gjithsej 2.761 lëndë.
Prej tyre 899 në lëndë civile, 406 penale të përgjithshme, 19 penale për te mitur, 178 penale – krime të rënda, 238 penale të ndryshme, 633 ankesa kundër paraburgimeve, 108 lëndë administrative, 51 ekonomike dhe 229 kundërvajtje.
Sipas kësaj del se secili gjyqtar, prej 34 sa ka aktualisht kjo gjykatë, ka kryer mesatarisht nga 81 lëndë në tre muaj ose nga 27 në muaj. Pavarësisht këtij angazhimi, numri i lëndëve të pa zgjidhura është 12.025, shifër kjo tejet e lartë. Kjo ngase Gjykata e Apelit, e ka filluar vitin 2017 me 11 206 lëndë te pa kryera ndërsa gjatë tremujorit të parë 2017 kanë ardhur edhe 3 520 lëndë të reja.
Gjykata e Apelit konsideron se e vetmja mënyrë për ta zbutur këtë gjendje është shtimi i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.
Aktualisht ky institucion është në pritje të dekretimit edhe të 4 gjyqtarëve, ndërsa janë duke u zhvilluar procedurat e rekrutimit për 5 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 10 zyrtarë ligjorë. Gjykata e Apelit konsideron se edhe ky numër është i pa mjaftueshme në krahasim me numrin e madh të lëndëve të pa zgjidhura, ndaj shtron nevojën e shtimit të numrit të gjyqtarëve të paktën edhe për 15, si dhe të dyfishohet numri i bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve ligjorë.