Aktuale

Për 6 muaj mbi 1 mijë kosovarë kërkuan trajtim jashtë vendit

Kohëve të fundit nuk janë të rralla rastet kur pacientë me sëmundje të ndryshme kërkojnë fonde për t’u trajtuar jashtë vendit, pasi që një gjë e tillë nuk mund t’iu ofrohet në Kosovës.

Rasti i fundit është i tre vjeçarit nga Podujeva, Besim Kurtolli, i cili kishte nevojë për transplant të veshkave, për çka i nevojiteshin 250 mijë euro, por falë vullnetmirëve, ai tashmë gjendet në Gjermani, transmeton Indeksonline.

E sikur Besimi ka qindra raste, e madje edhe disa që përfundojnë me vdekje, për shkak të mungesës së parave, që arrijnë shuma të mëdha.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Indeksonline se sipas aplikimeve në zyrën për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore brenda 6 mujorit të parë të këtij viti, numri i aplikantëve është më shumë se 1 mijë.

“ Në zyrën për TMJISHP gjatë këtij viti (1 janar- 30 qershor 2016) kanë aplikuar 1017 pacientë. Deri më tani kanë përfituar rreth 495 prej tyre ku shuma totale e shpenzuar është rreth 3.371,385.€”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, sipas tij, pas qershorit, në muajt korrik e gusht gjithashtu një numër tjetër i pacientëve kanë marrë mjekim përmes këtij programi.

Hoti ka shtuar se pritet që deri në fund të vitit, numri i atyre që do ta trajtohen përmes Programit të jetë rreth 1000 siç ka qenë edhe vitin e kaluar, derisa të dhënat vjetore publikohen në mbyllje të vitit.

Sa i përket fondit që kjo ministri ka në dispozicion për rastet që kërkojnë trajtim jashtë Kosovës, Hoti ka thënë se është rreth 7 milionë euro.

“ Mjetet në dispozicion janë rreth 7 milionë euro, për të gjitha llojet e sëmundjeve dhe rastet që aplikojnë.  Nga natyra e sëmundjeve, më së shumti raste ka nga Kardiologjia, pastaj Ortopedia, Oftalmologjia, ORL, disa raste të leukemisë dhe disa raste nga Pediatria”, ka theksuar zëdhënësi Hoti.