Aktuale

OVL-UÇK: S’ka seancë pa rishqyrtimin e ligjit për specialen

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas protestës së përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të cilët kërkonin rishqyrtimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Kërkesë për ndërprerje të seancës pati edhe nga shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, por që nuk u mor parasysh, derisa, përfaqësuesit e veteranëve iu thanë deputetëve se nuk do të dalin të gjallë nga Kuvendi.

Vetëm atëherë ishte kryesuesi i seancës së sotme, Xhavit Haliti, ai që njoftoi se grupi parlamentar i LDK-së dhe PDK-së, ka kërkuar ndërprerjen e seancës për shkak të vendimit të Gjykatës në Francë ndaj Ramush Haradinajt.

Halitit iu kërkua nga deputetët që të largojë përfaqësuesit e veteranët, megjithatë tha se nuk është ai që mund t’i largoj, por është policia ajo që duhet të marrë masa.

Sigurimi i Kuvendit iu ofrua përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, por këta të fundit nuk u larguan nga salla edhe një orë pas përfundimit të seancës. Ata i quajtën deputetët tradhtar, madje i thanë se nuk do të largohen të gjallë nga Kuvendi nëse nuk e ndryshojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Ata kërkuan që Specialja të mos merret vetëm me shqiptarët por edhe me serbët të cilët kanë bërë shumë maskara në Kosovë.

Seanca filloi me kërkesën e shefit të deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, për ndërorerje për shkak të vendimit të Gjykatës së Francës për Ramush Haradinajn. Pastaj ishte deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ai që kërkoi futjen në rend dite rishqyrtimin e ligjit për specialen.

Deputeti Hasani tha se në vazhdimësi shoqatat e luftës, familjet e dëshmorëve, martirëve kanë kërkuar dhe po kërkojnë që të trajtohet çështja e tyre, viktimave, vrasjeve, torturave dhe dhunës që ka bërë ushtria dhe policia serbe në Kosovë, pasi asnjëherë nuk janë trajtuar.

Deputeti i cili ka qenë fuqishëm kundër Gjykatës Speciale, ka përmendur rastet e masakrave të Krushës së vogël, Krushës së Madhe, Celinës, Ratkocit, Deliajve, Prekazit, e shumë masakrave tjera, ku kryerësit e tyre nuk janë dënuar ende.

 

“Fati i Kosovës, fati jonë, fati i këtyre familjeve është në duart tona, drejtësisë dhe udhëheqësisë tonë, prandaj po kërkoj nga ju me anë të këtyre viktimave që kemi këtu, familjeve që edhe sot në Kuvend kanë ardhur të kërkojmë drejtësi për familjarëve e tyre. Ata po kërkojnë pikërisht që edhe trajtimi i Gjykatës Speciale të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Kërkoj në vazhdimësi edhe atëherë kam kërkuar që Gjykata Speciale është një dëm që i bëhet Kosovës, një trajtim që do të tentoj ta barazoj gjenocidin serb me luftën e UÇK-së për liri që individ të caktuar që mund të kenë bërë ndonjë vrasje atje. Prandaj po kërkoj nga ju kryeministër, ju deputetë, ministrja e drejtësisë që ta rikthejmë ligjin për Specialen në Kuvend dhe ta trajtojmë edhe një herë dhe t’i japim mundësi që ky Kuvend të deklarohet edhe një herë”, tha Hasani.

Mirëpo, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së e LDK-së nuk ishin pro kësaj kërkese të deputetit Hasani.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se nuk është momenti për të biseduar rreth kësaj çështje, pasi kjo temë është e ndjeshme, duke mos dashur të deklarohet në emër të deputetëve të PDK-së, meqë për ta bërë një gjë të tillë duhet të jenë në sallë edhe deputetët e opozitës.

 

“Kjo është njëra ndër çështjet më të ndjeshme dhe që ka zgjuar debatet me serioze në këtë Parlament. Mendoj që edhe rrethanat janë pak më ndryshe, por për t’u deklaruar për këtë çështje mendoj së duhet të jenë të gjithë në këtë sallë, edhe opozita, dua të rezervoj deklarimin e grupit parlamentar për këtë çështje, të krijohen rrethanat, që të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët të jenë në sallë”, tha Pajaziti.

Ai shfrytëzoi rastin që të kërkojë ndërprerjen e seancën në shenj solidarizimi me Haradinajn, por duket se kjo nuk ishte arsyeja.

Edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri kërkoi shtyrjen e seancës,  por jo shkaku i veteranëve që filluan të pengojnë deputetët nga vendi ku qëndrojnë mysafirët.

 

“Po unë pikërisht për këtë pjesën e dytë Pajaziti, përkundër faktit që kemi kuorum dhe mund të vazhdojmë punën, ne u dakorduam që në shenj solidarizimi ta ndërpresim punën sot dhe të vazhdojmë një ditë tjetër. Ndërsa, për çështjen tjetër që shtroj ai, nuk mund të bëjë deklarim në emër të grupit sepse dihet si bëhen kërkesat e tilla”, theksoi Beqiri.

Kjo i irritojë udhëheqësit e veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët nga lartë sallës së Kuvendit, i kërkuan deputetëve që ta votojnë kërkesën për rishikimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka ftuar veteranët e UÇK-së, pasi nuk do të dalin nga Kuvendi derisa të mos futet ligji për specialen në rishqyrtim.

 

“Ne nuk dalim nga parlamenti derisa të kthehet në rend të ditës”, tha shkurt Gucati.

Ndërsa, kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se nuk do të lejojnë keqpërdorimin e votës së popullit nga deputetët, madje as votës së tyre sepse familjarët e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve ia kanë dhënë dikujt votën për t’i përfaqësuar.

 

“Ju po e shihni vet se edhe familjet e dëshmorëve, edhe invalidëve edhe veteranëve i kanë dhënë votën dikujt, këta deputetë këtu që e bënë një veprim të tillë që u frikësuan nga ajo për çka kanë marr përgjegjësi, kanë marr votën e qytetarëve duke marr edhe votën tonë, në asnjë moment nuk do t’i lejojmë keqpërdorimin e votës sonë. Ne kërkojmë që të kthehet në rishqyrtim Gjykata Speciale sepse është një padrejtësi”, tha Jashari.

Sipas Jasharit këta deputet duhet t’i riparojnë gabimet e tyre që i kanë bërë dhe kërkesat e tyre  duhet të kalojnë, përndryshe edhe këta po bëhen pjesë e fryrjes së destabilitetit jo vetëm në rajon por edhe në Ballkan.

Nënkryetari i Organizatës së veteranëve, Nasim Haradinaj shkoi edhe më larg, duke thënë se nuk do të mbahet asnjë seancë plenare derisa të mos futet në rishqyrtim ligji për specialen.

 

“Seancat tjera nuk do të mund të mbahen pa hi ky ligj edhe një herë të rishqyrtohet ligji i speciales për të dyja palët njësoj”, tha Haradinaj.

Në sallë ishin edhe familjarët e shumë të vrarëve në masakrat e shkaktuara nga policia dhe ushtria serbe.

Bahrie Gërrxhaliu e cila tha se për masakrën e Studimës më 2 maj 1999, askush nuk u dënua, derisa ata që luftuan për liri po gjykohen padrejtësisht.

 

“Në atë masakër dihet kush ka bërë krim por asnjë s’ka dal para drejtësisë deri me sot. Ne asgjë nuk duam veç le të bëhet drejtësi për të gjithë, le të dalin ata që kanë bërë krim para drejtësisë, e jo djemtë tanë që dëshmuan, i lanë edhe gjymtyrët për të qenë ne të lirë, e sot padrejtësisht gjykohen e dënohen. Ne vetëm po kërkojmë drejtësi për të gjithë”, theksoi ajo.

Pas marrjes së lajmit se seanca nuk do të vazhdojë sot, drejtuesit e OVL-UÇK dolën nga Kuvendi./KP/