Nga 12 Dhjetori, Tirana do të nisë menaxhimin e diferencuar të mbetjeve urbane në burim. Kompania publike Eco Tirana, e ngarkuar me pastrimin e qytetit, prezantoi sot mjetet e reja.
“Ajo që shikoni në të majtë dhe në të djathtë është flota jonë; flota me të cilën do të fillojë pastrimi i Tiranës. Sigurisht, nuk do të fillojmë në të gjitha rrugët njëherësh, por gradualisht në zonën e kuqe, brenda Unazës së Mesme të Tiranës. Kemi këtu një flotë moderne, një staf të trajnuar, dhe gradualisht do të fillojmë pastrimin e të gjithë Tiranës. Megjithatë, data për t’u mbajtur mend është data 12 dhjetor, kur do të fillojmë në terren pastrimin modern të Tiranës, por edhe ndarjen e diferencuar të mbetjeve”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ndajnë mbetjet në shtëpitë e tyre, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe për mbajtjen pastër të qytetit.
“Kemi dy kontenierë: një i gjelbër, me kapak të verdhë, që është për mbetjet e riciklueshme si letra, plastika, kanaçet, kurse kontenieri tjetër me ngjyrë blu dhe kapak gri, është vetëm për gjërat që nuk riciklohen, pra kryesisht mbetje organike, nga gatimi”, shpjegoi Veliaj.
Kryebashkiaku bëri të ditur se nga java tjetër, në të gjitha pallatet do të fillojnë punë administratorët e pallatit, ndërsa ekipet e Bashkisë së Tiranës do të certifikojnë administratorët.
“Një nga detyrat e administratorit është edhe vënia e gjobës për atë banor të pallatit që i hedh plehrat nga ballkoni, që lë te dera e pallatit, që bën sikur i ka harruar në ashensor, sepse është shumë e rëndësishme që përveç infrastrukturës, të punojmë pak edhe me kulturën”, tha ai.
Sipas Veliajt, shërbimi i ri për pastrimin e qytetit nuk do të sjellë ndryshim të taksës.
“Nuk do të kemi asnjë ndryshim në tarifën e pastrimit në Tiranë. Ashtu si Verona, që ka taksat më të ulëta dhe merr pastrimin më të mirë, ashtu edhe Bashkia e Tiranës do të ketë tarifën më të ulët dhe do të marrë pastrimin më të mirë. Do të bëjmë më shumë punë me të njëjtën tarifë”, tha ai.
Aktualisht, ka filluar puna për informimin e 10 mijë nxënësve nëpër shkolla, ndërkohë që dhe 25 mijë të tjerë do të duhet të kalojnë kursin dhe të çertifikohen si agjentët e bashkisë në çdo familje.




