Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim një delegacion të kryesuar nga shefi ekzekutiv i Asociacionit Evropian të Odave të Tregtisë dhe Industrisë, Eurochambres, Arnaldo Abruzzini.
Mustafa, gjatë takimit, ku ishin të pranishëm drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Serbisë, e njoftoi delegacionin për progresin e arritur në Kosovë në zhvillimin ekonomik dhe prioritetet e mëtejme të Qeverisë, bën të ditur një komunikatë nga Kryeministria.
Mustafa i ka thënë delegacionit se Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi prioritare zhvillimit ekonomik si dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal, në këtë aspekt.
Shefi ekzekutiv i Eurochambres vlerësoi progresin e arritur në Kosovë si dhe qasjen prioritare të Qeverisë së Kosovës në këtë kuadër, duke ofruar përkrahjen e këtij asociacioni evropian për Kosovën, njofton komunikata.