Aktuale

Ky është slogani për zgjedhjet në katër komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka miratuar sloganin për zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat veriore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e mbajtur ka vendosur që slogani për zgjedhjet në katër komunat veriore të jetë “Vota juaj, ardhmëria juaj”, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, në këtë mbledhje KQZ-ja, ka marrë edhe disa vendime tjera të rëndësishme për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

KQZ mori vendim për çregjistrimin e katër partive politike dhe shfuqizoi pezullimin për tri parti tjera politike.

Sipas vendimit të KQZ-së, partitë e çregjistruara janë: Partia e Ballit (PB); Partia e Fortë (PF); Aktivna Gradanska Inicijativa (AGI); dhe Savez Nezavisnih Socijaldemokrata (SNSD).

Këto parti politike nuk kanë dorëzuar të dhënat e ndryshimeve vjetore as pas afatit shtesë.

Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të shfuqizuar pezullimin e tri partive politike: Partia Demokratike e Unitetit (PDU); Crnogorska Liberalna Stranka (CLS) dhe Nova Partija Kosova (NPK). Sipas vendimit të KQZ-së, këto parti politike kanë dorëzuar përditësimin e të dhënave vjetore në afatin shtesë. /Lajmi.net/