Në ceremoninë e hapjes së Qendrës për Zhvillim të komunitetit malazez kanë marrë pjesë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.
Nga shteti malazez i pranishëm ishte Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markovic.
Krerët e shtetit të Kosovës kanë mbajtur nga një fjalim të shkurtër rreth rëndësisë së hapjes së kësaj qendre për malazezët që jetojnë në Kosovë, fqinjësinë e mirë dhe aleancën mes dy shteteve.
Presidenti Thaçi ka thënë se është një ditë e veçantë për Malin e Zi dhe Kosovën sepse po hapet shtëpia e zhvillimit, e progresit, mirëkuptimit dhe miqësisë së përjetshme që kemi pasur Kosovë dhe Mali i Zi.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kosova dhe Mali i Zi kanë interesa të përbashkëta strategjike dhe Mali i Zi na ka ndihmuar dhe po ashtu si Kosovë e kemi ndihmuar.
Ramush Haradinaj, tha se malazezët do të kenë gjithmonë vendin e tyre në Kosovë, dhe kushdo që jeton në Kosovë do të trajtohet njëjtë pa dallim.
Haradinaj ka thënë se historia e popujve të Ballkanit nuk ka qenë e mirë por tash jemi në paqe, jemi fqinj dhe jemi aleatë. /GazetaExpress/