Që nga viti 1995, UNESCO ka shpallur 23 prillin si Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Kolegji AAB ndonëse në rrethana të tjera si pasojë e pandemisë Covid-19, përmes diskutimit live me studentët ka shënuar këtë ditë.
Të ftuar në këtë diskutim ishin: shkrimtarët, Ilire Zajmi Rugova dhe Rrahman Paçarizi, dhe Drejtori i Bibliotekës në Kolegjin AAB, Urim Sallauka.
Në këtë diskutim live, shkrimtarja, Ilire Zajmi Rugova tha se libri ka hapësirë më shumë se kurrë në këto ditë. “Lirinë e kufizuar si pasojë e pandemisë e gjejmë në libra, prandaj është një situatë ideale që ne t’i kthehemi librit”.
Ndër të tjera, ajo po ashtu shtoi se në Kosovë kemi mungesë të politikave të cilat motivojnë botuesin dhe autorin, prandaj autorët në Kosovë nuk shkruajnë për të fituar, por sepse e duan librin.
Ndërsa, Rrahman Paçarizi theksoi se është gjë e mirë pasiqë njerëzit kanë filluar ti kthehen librit. Mirëpo, shtoi se në vendin tonë mungon menaxhimi i duhur. “Një libër kur botohet duhet të ketë infrastrukturën përcjellëse, që do të thotë promovimin nga mediat dhe të tjerët”. Ai, po ashtu theksoi se libri në Kosovë qarkullon vetëm brenda vendit dhe e ka të vështirë të depërtoi në vendet e tjera.
Tutje, Drejtori i Bibliotekës në AAB, Urim Sallauka dha lajmin për të gjithë studentët se shumë shpejt Kolegji AAB do të zgjerojë edhe më shumë bibliotekën. Ai po ashtu theksoi se biblioteka ka siguruar qasje në disa platforma të cilat nuk kanë qenë më parë në Kosovë. “Kolegji AAB ka bërë një punë të madhe që të sigurojmë qasje në literaturë të gjerë dhe tashmë kemi qasjë në mbi 60 platforma”.
Në këtë diskutim live të organizuar nga Kolegji AAB, u bë edhe shpallja e fituesve të Çmimit “Masar Stavileci” për lexuesit më të mirë të Bibliotekës së AAB-së për vitin 2019, fituesit janë:
Petrit Vokshi – student në Fakultetin e Administratës Publike
Diellza Nuhaj – studente në Fakultetin e Infermierisë
Edon Abazi – student në Fakultetin e Administratës Publike
Nora Dobra – studente në Fakultetin e Gjuhës Angleze