Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive Njeriut votimin e djeshëm në balotazh e ka vlerësuar si të rregullt, në kuadër të standardeve ndërkombëtare, me shumë pak parregullësi që nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
KMDLNj thotë se koalicionet kryesisht joparimore me qëllim të marrjes së pushtetit dhe rezultatet që dallojnë për një grusht votash paraqesin rrezik për funksionimin normal të pushtetit lokal në ato komuna, si dhe krijimin e situatave bllokuese në vendimmarrje dhe zbatimin e projekteve të ndryshme e të rëndësishme për përparimin e komunave.
“Përkundër vlerësimit shumë pozitiv të tërë procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale në Kosovë, rezultati i zgjedhjeve sidomos në disa komuna lë hapësirë për krijimin e situatave bllokuese e që nuk do të ishte e dëshirueshme për shëndetin e pushtetit lokal. Megjithatë, le të shpresojmë se zhvillimet do ta marrin drejtimin e duhur”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së./KosovaPress/