Aktuale

KD: Thaçi në Washington, “për ta promovuar veten”

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka trokitur në Shtëpinë e Bardhë në kohën kur administrata e presidentit Barack Obama është duke i paketuar valixhet.

Prandaj vizita e tij përtej Atlantikut është parë për qëllim të promovimit të vetes, shkruan sot Koha Ditore.

Kabineti i presidentit Thaçi ka zbardhur të hënën agjendën e takimeve, mes të cilave është edhe ajo me zëvendëspresidentin në detyrë, Joe Biden, dhe me personalitete e think-tanke me ndikim të Donald Trupit, presidenti i ri amerikan që do të marrë mandatin pas dhjetë ditësh.

“Vizita ime dhe pritja që më bëhet në Washington janë konfirmim i miqësisë speciale dhe të përhershme që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur presidenti Thaçi në fillim të vizitës së tij në Washington. “Me ndryshimet në botë, miqësia jonë me SHBA-në, raporti ynë special, është vital për të ardhmen e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.

Ndodhet në tranzicion pranim-dorëzimi i pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo për shkak që në krye të fuqisë më të madhe botërore, pas dhjetë ditësh do të vihet presidenti i ri, i cili nuk gëzoi mbështetje në Kosovë.