Aktuale

Hoti: Platforma jonë për zhvillim lokal, e vetmja adresë për zhvillimin e komunave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka prezantuar sot platformën e zhvillimit ekonomik lokal në Gjakovë, ku kanë marrë pjesë edhe kandidatë të saj nga komunat përreth.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është hera e parë që një parti politike në Kosovë i fton bizneset për të biseduar për platformën e zhvillimit ekonomik lokal, pasi zakonisht komunat janë parë si institucione që për qytetarët më tepër ofrojnë shërbime administrative.

Ai tha se mundësitë dhe kompetencat e komunave janë shumë më komplekse, siç janë: punësimi, zhvillimi ekonomik, orientimi i zhvillimit, çështjet infrastrukturore, arsimi, shëndetësia, çështja e ambientit e të tjera.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se është fakt i pamohueshëm se, kur flitet për zhvillim ekonomik, adresa e vetme është LDK-ja.

“Kur ata flasin për biznesin dhe zhvillimin ekonomik, fjalën e kanë për bizneset e tyre personale. Këta janë të vetmit njerëz që e kanë zbuluar tenderomaninë, korrupsionin, kapjen e shtetit, haraçin. Ndërsa, të dytët janë ata që ende besojnë në revolucion, derisa në platformën e tyre e kanë mbi 30 për qind tatim në biznes, prandaj asnjëra, e as pala tjetër nuk janë zgjidhje për qytetarin. Në fakt ata janë të zënë me grushtime, fyerje e çka jo tjetër, ndërsa ne jemi të zënë me tubime si kjo sot”, ka thënë Abdixhiku.

Bekim Ermeni, kandidat për kryetar të Gjakovës, ka theksuar se gjatë qeverisjes së LDK-së, Gjakova do të përjetojë zhvillim shumë më të madh se sa që pati gjatë qeverisjes së kaluar.

Ai tha se do të ketë kujdes shumë më të madh edhe në ndarjen e granteve, ndërsa vlera mbështetëse do të rritet në vazhdimësi, ndërkohë që ka premtuar e Çarshisë së Madhe, një vlerë historike e Gjakovës.