Aktuale

Haziri tregon detaje si erdhi deri të nominimi i Vjosa Osmanit për kryeministre

Pesë kandidatë kishin qenë në garë brenda LDK-së për t’u nominuar për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit. Por, në fund kishin mbetur dy emra që do ta udhëhiqnin Lidhjen Demokratike të Kosovës për këto zgjedhje. Lutfi Haziri e Vjosa Osmani, pritnin që të merrnin mbështetjen e Kryesisë, e pastaj edhe të Këshillit të Përgjithshëm.

Por, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vendosi që ta mbështes kolegen e tij, Vjosa Osmani për të qenë kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Haziri ka shpjeguar se si ka ardhur deri të vendimi për ta përkrahur emrin e Vjosa Osmanit, për t’i prirë LDK-së në këto zgjedhje.

“Ka qenë debat i brendshëm, prej rizgjedhjes së kryetarit Isa Mustafa, ne kemi pasur debat të brendshëm. Pesë kandidatura të nxjerra nga kryetari i LDK-së dhe nga kryesia e LDK-së kemi ardhur në dy, njëri nga emrat kam qenë edhe unë. Por në fund në kuadër të kritereve dhe parimeve që kemi vendosur dhe vet angazhimi tim personal me mbështetjen absolute që ia kam ofruar ne kemi dal me një emër i cili është konsensual për të gjithë neve, për të gjitha strukturat, për gjithë njerëzit, burrat dhe gratë, rininë, ia kemi dhënë mbështetjen e plotë. Dhe, këtu nuk ka asnjë lloj dyshimi që ne për dallim prej tjerëve njëshi nuk e ka vendosur, por e ka vendosur ekipi”, ka thënë Haziri për FaktePlus.

Me tutje numri dy i LDK-së, i cili vlerësohet të jetë njëri nga njerëz kryesor i kësaj partie, thotë se mbështetja e tij për Osmanin, nuk ishte tërheqje e tij, sepse ai ndihet komod në pozitën që është dhe me të gjitha atë besim që ia ka dhënë kësaj partie, ajo ia ka kthyer një milion fish.

“Nuk është tërheqje, sepse unë jam komod në pozitën që kam, detyrën që e kam tash e 30 vjet. Kam hyrë si i ri, 18 vjeçar në këtë rrugë dhe unë kam besim, LDK-në e kam ideologji, e kam besim dhe këtë besim ia kam dhënë dhe LDK-ja ma ka kthyer një milion fish. Me ka besuar të kandidoi për kryetar komune 28 vjeç dhe jam zgjedhur, katër herë si i nominuar i LDK-së për kryetar komune, po ashtu edhe sot, me ka nominuar dy herë për deputetë dhe jam zgjedhur, jam zgjedhur zëvendëskryeministër në moshën me të re, 34 vjeç, kam qenë ministër në dy qeveri, kam shef i grupit parlamentar dhe kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, kam themeluar Ministrinë e Pushtetit Lokal, kam themeluar edhe administratën e Gjilanit, kam përfaqësuar LDK-në në Uashington, Londër, Paris, ky besim i madh që ma ka dhënë LDK-ja ta përfaqësoj nuk mund të shpaguhet”, ka thënë Haziri.

Teksa ka përmendur përgjegjësitë që ia ka dhënë LDK-ja në këto vite të angazhimit të tij në këtë parti, Haziri beson se edhe Vjosa Osmani do t’ia kthejë LDK-së besimin e dhënë, me punë e lojalitet.

“Kjo ka qenë arsyeja të nxjerrim një kandidate si Vjosa e cila këtë besim të LDK-së do ta kthejë me punë, me lojalitet, do ta kthejë me angazhim maksimal edhe si fituese e zgjedhjeve edhe si kryeministre nesër, sepse LDK-ja ta ka besuar dhe me 6 tetor ky besim për katër vjet duhet të shpaguhet, t’iu kthehet njerëzit, populli”, është shprehur nënkryetari i LDK-së.

I pyetur nëse është tërhequr nga kandidatura për kryeministër me kushtin që të marrë drejtimin e partisë pas përfundimit të mandatit të Isa Mustafës, Haziri e ka mohuar kategorikisht duke thënë se nuk është ithtarë i kushtëzimeve të tilla.

“Në asnjë mënyrë, nuk jam ithtarë i kushtëzimeve në politikë, as në jetë. Jo, ajo është marrëveshje e kushtëzuar me dy ose tri vjet, është sikur puna e martesës, ose le të themi nuk ka gjysmë shtatëzani. Marrëveshja politike për mua është kulturë pune, e cila e ruan demokracinë si instrumentin e vetëm vendimmarrës dhe e ndërton kulturën e punës brenda duke u bazuar në debat, durim, dëgjim sepse duhet të dëgjohen të gjitha palët dhe të gjitha kërkesat dhe vjen në një qëndrim, sepse fundja përmes votës përfundon krejt ky proces. Shumë më mirë është ta përfundosh me konsensus sa më të gjerë të mundshëm, e një shumicë me të madhe, se sa me u marrë me eliminim politik”, ka theksuar Haziri.

Haziri ka shtuar se aktualisht po ndodhë pampers politika, ku disa partitë po i përdorin njerëzit për një periudhë të caktuar.

“Njerëzit po kërkojnë azil politik në parti tjetra. E ke parë se si pampers politika është duke ndodhur. E merr e fut në parti, e futë në listë, mbanë dy vjet edhe i thotë ec shko se nuk më sjelle vota, pavarësisht a është elitë kulturore, politike, biznesmen apo çka është. Përdoret për një proces dhe thotë kam menduar që je burrë më i mirë apo grua më e mirë por t’i nuk paske asnjë votë, për çka duhet të mbajë këtu. Kanë filluar partitë t’i shfrytëzojnë njerëzit për periudha të caktuara”, është shprehur Haziri./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli