Aktuale

Hashani zëri i ardhshëm në Kuvend për të mirën e Obiliqit

Në radhët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa në garë për deputet është edhe Zeqir Hashani.

Hashani i cili vjen nga komuna e Obiliqit thotë për KosovaPress se ka pranuar t’i hyjë kësaj gare për arsye se komuna e Obiliqit asnjëherë nuk ka pasur një zë të arsyeshëm në Kuvend për të mbrojtur interesin e qytetarëve të saj përballë interesit nacional dhe shtetëror të cilin e ka Obiliqi si gjigant energjetik dhe industrial.

“Si kuadro e kualifikuar mendoj se ka ardhë koha që të sakrifikojmë secili nga karriera jonë për t’i dalë në ndihmë komunitetit dhe shoqërisë. Kam vendosur që dijen dhe përvojën time ta ofroj si alternativë për të përçuar të gjitha brengat dhe nevojat e bashkëqytetarëve të mi aty ku merren vendimet e mëdha. Arsyeja pse kam zgjedhur LDK-në është shumë e thjeshte: tradita dhe profesionalizmi janë tiparet që e udhëheqin këtë parti; respekti për të moshuarin, avancimi i të rinjve, emancipimi i gruas, përkujdesi ndaj familjes dhe besimi në vlerat më të çmueshme të shoqërisë tonë”, tha Hashani për KosovaPress.

Ai thotë se si deputet do të jetë përfaqësues i qytetarëve të Obiliqit për të gjitha problemet dhe vështirësitë që Obiliqi sulmohet çdo ditë.

“Obiliqi të gjithë e dimë se sa është e pasur për nga resurset minerare, por që në fakt është ndër komunat më të varfra dhe më të pazhvilluara në vend, njëkohësisht qytetarët jetojnë në mes të dy termocentraleve energjetike të cilat janë ndotësit më të mëdhenj kurse qytetarët nuk kanë asnjë benefit të caktuar por vetëm se është rënduar jeta e tyre. Për këtë arsye unë do të jem ai që do të avancojë në agjendën shtetërore që qytetarët tanë të jenë një kategori e veçantë dhe duhet të marrin trajtimin e duhur nga shteti duke ia lehtësuar jetën e tyre”, tha Hashani.

Hashani numëron edhe angazhimet e tij nëse zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij ai do të fokusohet në katër fusha të cilat i quan jetike për qytetarët e Obiliqit. E atoj janë; Në funksionalizimin e Ligjit për Obiliqin, i cili parasheh benefite të ndryshme për komunën tonë dhe si një deputet në Kuvendin e Kosovës të avancoj këtë proces drejt fuqizimit të tij dhe realizmit në përpikmëri për interesat e qytetarëve të komunës sonë; ndërtim i termocentralit “Kosova e Re” – ndikimi në jetën e qytetarit tonë, ndërtimi i “Kosovës së Re” nuk guxon të kaloj pa e bërë aksionar edhe qytetarin e komunës së Obiliqit. Ne e kuptojmë interesin nacional që ka shteti për komunën tonë, por ne duhet të jemi zë i fuqishëm për të mbrojtur të drejtat tona si eksponent ndaj eksploatimit të thëngjillit, rrezikut që vie nga ajri, toka e kontaminuar dhe dëmtimet ekologjike që vijnë nga kjo industri; Kërkesë tjetër emergjente e të gjithë qytetarëve të Obiliqit është çështja e punësimit. Ndërti mi i “Kosovës së Re” është mundësi ideale për kuadrot tona dhe obligim që institucionet shtetërore e kane ndaj komunës sonë. Së bashku mund të arrijmë që gjendja e punësimit në komunën tonë të përmirësohet. Kjo arrihet përmes organizimit qytetar dhe zërit tuaj në parlamentin e Kosovës; Sistemi i koogjenerimit (ngrohjes qendrore) në komunën tonë, në si bashkëqytetar i juaj ju garantoj se nuk do te kursej asnjë dite nga puna ime për të dale me dinjitet para Jush. Ky projekt i cili lidhet me KEK-un e që ka ndikim të madh në qytetin e Obiliqit. Pushteti aktual komunal ka dhënë premtime të shumta të cilat pretendonte se do t’i realizonte në kuadër të mandatit 4-vjeqar. Sot të gjithë jemi dëshmitar se ky projekt është lënë në sirtarët e komunës.

“Në këtë aspekt ju garantoj qasje shtetërore në realizimin e plotë të këtij projekti duke besuar fuqishëm në fjalën e kandidatit tonë për kryeministër Avdullah Hoti. Dhe po ashtu një çështje që është emergjente për qytetarët e Obiliqt është ambienti i ndotur jashtë normave të lejuara, do të shkrijë tërë energjinë time duke bërë të pamundurën që të kemi një ambient sa më të pastër me anë të ndërtimit të parqeve të ndryshme, hapësirave të gjelbëruara, krijimin e një klimë të favorshme që komuna jonë mos të jetë çdo herë e atakuar prej këtyre ndotësve vdekjeprurës”, tha Hashani.

Ai beson në mbështetje të aprezervë si nga dega e LDK-së në Obiliq e po ashtu edhe nga qendra e sidomos nga kandidati për kryeministër Avdullah Hoti.

“Po ashtu me rëndësi është që mbështetja kryesore e kemi nga vetë qytetarët që është një disponim i jashtëzakonshëm që në këto zgjedhje ta kenë përfaqësuesin e vet në Kuvendin e Kosovës dhe po ashtu në fitoren e madhe me 11 qershor”, thotë Hashani.

Hashani ka të përfunduar doktoraturën në Shkencat e Biologjisë ndërsa në listën zgjedhore mban numrin 108./KosovaPress/