Ministria e Drejtësisë (MD), ka filluar punën për hartimin e Kodit Civil, ku model për hartimin e këtij kodi është marrë Gjermania. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se në mesin e prioriteteve të saj e ka renditur edhe hartimin e Kodit Civil.
“Procesi i kodifikimit duhet të shihet edhe si reformim i së drejtës civile. Fillimi i procesit të kodifikimit ka filluar që nga viti 2015”, ka thënë ajo. Sipas saj, grupi punues është aktiv dhe po punon vazhdimisht. “Angazhimi në hartimin e këtij kodi është projekt serioz. Ne kemi vendosur që të ndiqet modeli gjerman sepse ky i fundit i përshtatet nevojave të Kosovës.
MD do të sigurohet se ky model do të përdoret si referencë” ka thënë Hoxha.Ajo ka bërë thirrje të gjitha organizatave që të përcjellin punën dhe të bëjnë komentet dhe rekomandimet e tyre.
Ndërsa, Profesori Iset Morina ka thënë se një kodifikim i tillë do të ndikojë në sundim të ligjit.“MD është bartëse e këtij projekti masovik dhe sfidues”, ka thënë ai. Sipas tij, kodi do të jetë voluminoz me një strukturë të qartë. Ky kod do të jetë udhërrëfyes për secilin qytetar për të drejtat e veta private. Hartimi i këtij kodi do të përfundoj në fund të vitit 2019.