Rajon & Botë

Greqia rikthehet në tregjet financiare

Pas një mungese të gjatë në tregje dhe favorizuar nga një sërë treguesish buxhetorë pozitivë, Greqia emetoi sot për herë të parë që prej vitit 2014 një obligacion për pesë vjet.

“Greqia emetoi sot tre miliardë euro me afat pesëvjeçar dhe me një normë interesi prej 4,625 për qind për herë të parë që prej 2014”, njoftoi Frederic Gabizon, i cili drejton operacionin për bankën HSBC, raporton AFP.

“Kërkesa për këtë financim, që kombinon emetimin e letrave me vlerë dhe një operacion shkëmbimi për pesë vjet, të atij të emetuar në 2014, ka arritur në total vlerën e 6,5 miliardë eurove”, theksoi Gabizon.

Ky operacion u krye në kuadër të një rigrupimi. Ndryshe nga një ankand klasik që i nënshtrohet në një formë sistemit të ankandeve, kredia e rigrupuar është fleksibël dhe konsiston në organizimin e drejtpërdrejtë të operacionit me disa banka në lidhje me investitorët e interesuar nga obligacionet e emetuara.

Pëveç HSBC që drejtoi operacionin, bankat BNP Paribas, Bank of America Merrill Lynch, Citi, Deutsche Bank dhe Goldman Sachs kanë marrë pjesë në këtë emetim.

Në vizitë në Athinë, komisioneri evropian për Çështjet Ekonomike, Pierre Moscovici u shpreh i bindur se vendi mund të fillojë të vetëfinancohet në mënyrë të pavarur me një përqindje të arsyeshme.

Emetimi i tre miliardë eurove realizuar në atë kohë nga qeveria e koalicionit të djathtë-socialist shënoi sukses.