Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme kanë goditur Shqipërinë. Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.
Si pasojë e këtyre tërmeteve numri i viktimav po vazhdon të rritet, ndërsa deri në oren 22:00 janë raportuar 23 persona të vdekur dhe rreth 600 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale.
Ndonëse dridhjet janë ndier shumë edhe në Kosovë, nuk ka pasur raportime për të lënduar, por është konfirmuar se dy vëllezër nga Kosova janë nxjerrë të vdekur nga rrënojat e një hoteli të shembur në Durrës.
Ekipet e shpëtimit në Shqipëri, po vazhdonin të kërkonin nën rrënojat e ndërtesave qytetarët të cilët kishin mbetur të ngujuar nga tërmetet. Për t’i dalur në ndihmë, Kosova në orët e para të mëngjesit nisi ekipet e FSK-së dhe Policisë drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti, të cilët dhanë kontributin e tyre në nxjerrjen e disa qytetarëve
Po ashtu edhe Italia dhe Greqia nisën avionët dhe skuadrat speciale në ndihmë të Shqipërisë. Ndërsa Ambasada e ShBA-së në Shqipëri ka ofruar mbështetjen e saj.
E, për të shprehur solidaritetin me popullin shqiptar, edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, theksoi se Gjermania është e gatshme t’i ofrojë ndihmë emergjente Shqipërisë. Po ashtu edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se Maqedonia është e gatshme që ta jap të gjithë ndihmën e nevojshëm për t’i dalë në ndihmë vendit fqinjë. Ndërsa thirrjeve për t’i ndihmuar Shqipërisë i është bashkuar edhe Turqia ku ka dërguar një avion ushtarak një ekip për kërkim dhe shpëtim dhe një ekip shëndetësor, si dhe Kroacia e cila ka dërguar një ekip-kërkimi dhe shpëtimi që përfshin 15 oficerë të mbrojtjes civile dhe 8 qen kërkues do të fluturojnë me dy helikopterë ushtarakë për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit pas tërmetit.
Në reagimin e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “është një moment dramatik ku duhet të ruhet qetësa dhe të qëndrojmëë pranë njëri-tjetrit që ta përballojmë këtë goditje së bashku”.
Kreu i qeverisë ka njoftuar se do të nënshkruhet një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës për të strehuar të gjitha familjet që kanë mbetur pa shtëpi, pasi tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë mëngjesin e sotshëm.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke u lutur që të mos ketë viktima, theksoi gjatë ditës së sotme se situata është mjaft dramatike. Meta po ashtu anuloi pritjen shtetërore për Ditën e Flamurit.
Në anën tjetër Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, duke bërë thirrje për solidaritet, publikoi të gjitha llogaritë për kontribut që t’iu ndihmohet familjeve të prekura nga Tërmeti.
Kurse Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka pezulluar mësimin në gjithë Shqipërinë për ditën e sotme dhe nesër.
Telegrame ngushëllimi janë dërguar në Shqipëri nga shtetet e ndryshme, duke shprehur solidaritetin me të prekurit nga tërmeti.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një telegram ngushëllimi, ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen me vëllezërit dhe motrat matanë kufirit. Thaçi ka shpallur të merkuren ditë zie në Kosovë, për t’u solidarizuar me viktimat në Shqipëri.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës duke u shprehur ngushëllime familjarëve për personat e humbur, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndajë 500 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kosova do të japë çdo mbështetje për Shqipërinë për ta kaluar bashkë këtë dhembje.
Po ashtu lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave nga tërmeti në Shqipëri, dhe ka shprehur gatishmërinë për t’iu ofruar ndihmë autoriteteve zyrtare.
Duke ngushëlluar familjarët për viktimat, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të solidarizohen me qytetarët e Shqipërisë.
Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka organizuar grumbullim të ndihmave elementare si rroba dhe batanije në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës nëpër të gjithë Kosovën.
Partia Socialdemokrate ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave duke thënë se qëndron me gjitha kapacitetet e saj përkrah shtetit shqiptar në këto momente të vështira.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u ka shprehur ngushëllime duke thënë se bashkëndjen me familjet e viktimave të tërmetit që sot në mëngjes goditi Shqipërinë.
Në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë u ka dalë edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, e cila ka shprehur gatishmërinë që në emër të tyre dhe në emër të komunitetit mjekësor nga Kosova, të ofrojë çfarëdo ndihme, qoftë ajo profesionale, materiale, fizike apo morale.
Ndërsa kryesia e BIK-ut, të premtën ka ftuar të gjithë besimtarët dhe qytetarët e vendit që të gjejnë forcë e kurajë që të solidarizohen dhe t’u dalin në ndihmë të prekurve nga tërmeti në Shqipëri.
Kurse Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, theksoi se do të ndihmojë me 5000 euro të prekurit nga tërmeti, po ashtu iu bëri thirrje veteranëve të luftës, atyre që kanë mundësi, që të ndihmojnë në llogaritë bankare.
Po ashtu në Kosovë, qytetarë të shumtë si dhe përfaqësues të tifogrupeve kanë organizuar aksione ku janë mbledhur pako të shumta me ushqime si dhe veshmbathje, dhe janë nisur drejt Shqipërisë për të prekurit nga tërmeti. Ndër të tjera disa familje kosovare kanë hapur dyert e tyre për familjet nga Shqipëria, duke iu bërë thirrje që të vijnë dhe të strehohen në Kosovë.
Por edhe kompani private kanë dhënë kontributin e tyre duke dhuruar shuma të ndryshme për familjet në Shqipëri.
Korporata ‘Dukagjini’ ka ndar 20 mijë euro për familjet e prekura nga tërmeti. Spitali ‘ORTOMEDICA’ në Prizren ka ofruar falas trajtime për personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri.
E, të gjitha këtyre thirrjeve për ndihma, populli i Shqipërisë, veçanërisht ata të cilët janë prekur nga tërmeti, kanë shprehur falenderimin e tyre, duke thënë se Kosova po ndihmon më shumë se edhe vetë Shqipëria.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka falënderuar popullin e Kosovës për solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar. Meta, në një linjë telefonike në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova ka qenë e para që është përgjigjur në mënyrë shembullore në të gjitha drejtimet.
Edhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka vlerësuar lartë rolin e ushtarëve të Kosovës, pas tërmetit tragjik që goditi sot Shqipërinë.
Berisha, në një lidhje telefonike në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se ndihmat nga Kosova janë shumë të mirëpritura, dhe se është prekur shumë kur ka parë në rrjete sociale dhe media, shqiptarët e Kosovës duke mbledhur ndihma në qendër të Prishtinës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se sot ka qenë ditë solidariteti, ku në ambasadë janë shënuar mbi 2500 thirrje të qytetarëve të cilët kanë shprehur gatishmëri të ofrojnë ndihma për familjet që pësuan nga goditja në Shqipëri. Ai ka thënë se në gjithë këtë solidaritet spikatëm të gjitha vendet e rajonit, ishin një me Shqipërinë, por në ballë Kosova.
Lëkundjet e tërmetit që ka ndodhur në mëngjesin e hershëm kanë prekur më së rëndi Qarkun e Durrësit.
Fillimisht është raportuar për tre personat që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin rreth orës 03:50. Viktimat janë banorë të Durrësit, Kurbinit dhe Thumanës. Por më vonë ky numër sa vinte e shtohej, për të arritur në 23 në orët e vona të natës. Ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimin për persona të tjerë të ngelur nën rrënoja.
Ministria e Punëve të Brendshme të Shqipërisë ka bërë të ditur se krahas 23 të vdekurve, mbi 600 persona janë plagusur nga tërmeti.
Gjatë ditës është raportuar nga media për momente kur nga rrënojat janë nxjerrë persona të gjallë, por edhe viktima