Aktuale

Flet biznesmeni Hashim Deshishku, tregon të vërtetën e plaçkitjes së shtëpisë së tij

Biznesmeni dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Hashim Deshishku ka demantuar raportimet e mediave se persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e tij në Prishtinë, për të vjedhur një shumë parash, stoli ari dhe një veturë.

I kontaktuar nga “Gazeta Blic” Deshishku ka thënë se rasti nuk ka ndodhur në shtëpinë e tij.“Nuk është e vërtetë, nuk ka ndodhur në shtëpinë time”, tha Deshishku, shtëpia e të cilit ndodhet në rrugën “Murat Mehmeti”, aty ku Policia e Kosovës njofton për një rast vjedhje.

Policia nëpërmjet raportit 24 orësh nuk ka dhënë detaje për emrin e ankuesit në shtëpinë e së cilit ka ndodhur grabitja.Sipas Policisë vetura e vjedhur është gjetur e braktisur në fshatin Zhur të Prizrenit.“Ankuesi ka njoftuar se katër persona të maskuar dhe të armatosur, kanë hyrë brenda shtëpisë dhe i kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash dhe stoli ari si dhe një veturë me targa vendore. Gjatë punës policore vetura e vjedhur është gjetur e braktisur në fshatin Zhur të Prizrenit.

Nuk raportohet për të lënduar dhe njësitë policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.Duke iu referuar formularëve të deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), në vitin 2014 Hashim Deshishku, posedon një pasuri e cila llogaritet të jetë mbi 18 milionë euro.

Pasuri e paluajtshme: shtëpi banimi, 600 mijë euro, tokë, 100 mijë euro, tokë, 382 mijë euro, shtëpi, 200 mijë euro, tokë, 50 mijë euro, tokë, 80 mijë euro, garazh, 30 mijë euro,
“Lesna Trade”, 4 milionë e 999 mijë e 155 euro, banesë, 50 mijë euro, garazh, 30 mijë euro, lokal, 550 mijë euro
Pasuri e luajtshme: Veturë në vlerë prej 15 mijë e 700 eurosh
Aksione: 6 milionë e 485 mijë e 362 euro
Para të gatshme: 6 mijë e 529 euro
Të hyrat mujore: Së bashku me bashkëshorten, 34 mijë e 528 euro.