Aktuale

Dy rastet e fundit me COVID-19 në Vushtri janë infermiere, u infektuan në Prishtinë

23 persona nga Vushtrria janë të prekur me virusin COVID-19. Dy raste u shënuan mbrëmjen e së dielës, ku Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës tregoi se janë prekur 79 persona në tërë vendin. Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Vushtrrisë ka treguar për Express se dy të infektuarat e fundit nga kjo komunë janë infermiere dhe dyshohet se virusin e morën nga një pacient i infektuar

23 të prekur e 4 të shëruar nga virusi COVID-19 është bilanci në Vushtrri. Tashmë nga kjo komunë janë 19 persona pozitivë aktivë, nga të cilët 2 po trajtohen në Klinikën Infektive të QKUK-së dhe të tjerët po qëndrojnë të vetizoluar në shtëpitë e tyre.

Drejtori i Shëndetësisë së Vushtrrisë, Sylejman Meholli, ka thënë për Express se dy të prekurat me koronavirus nga kjo komunë janë me vendbanim në Vushtrri, por punojnë në Prishtinë.

“Janë punëtore të një shërbimi privat shëndetësor në Prishtinë, me vendbanim në Vushtrri. Nuk kanë qenë të propozuara për testim, por sigurisht institucioni ku kanë punuar ka rekomanduar testimin e tyre. Pas testimeve kanë dalë pozitive. Me vendbanim janë në Vushtrri, ndërsa punojnë në Prishtinë. Janë raste kontakti me një pacient në institucionin ku kanë punuar”, ka treguar Meholli.

Meholli ka theksuar se personat e prekur gjenden në vetizolim, ndërkaq gjendja shëndetësore e tyre është stabile.

Ai ka theksuar se po gjurmohen kontakt e të prekurave, për të kryer testimet për COVID-19.

“Sot do të testohen familjarët e tyre, por po gjurmohen edhe kontaktet tjera që mund të kenë pasur me persona tjerë”, ka thënë Meholli.

Meholli ka treguar se gjendja me furnizime në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Vushtrri është stabile, por gjatë ditëve në vijim nevojiten furnizime të reja.

Ai ka treguar ser në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë, vendi ku ka më së shumti persona të prekur me koronavirus nga kjo komunë, gjendja është stabile.

“Në Smrekonicë situata duket optimiste, për faktin se pothuajse të gjitha kontaktet e rrethit të parë dhe të dytë janë testuar, rrethi i dytë ka dalë komplet negativ, rrethi i parë vetëm familjarët e afërt. Nuk kemi familje tjetër apo banor tjetër që ka rezultuar pozitiv, por i kemi rastet e izoluara. Edhe dje janë testuar disa kontakte të njërës prej familjeve që kanë pasur kontakte me familje të një fshati tjetër kanë rezultuar negative edhe të Mitrovicës, edhe banorë të tjera fshatrave kanë rezultuar negativë të gjithë”, ka deklaruar Meholli për Express.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 283. Tashmë 59 persona janë shëruar dhe 7 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vazhdimisht po bën apel tek qytetarët që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

the authorGazetaKNN