Aktuale

Deputetët e koalicionit qeverisës të rënë në “kurthin” e Vetëvendosjes

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me 9 shkurt është shqetësuar nga veprimi i shumë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Bashkëpartiakët e saj në PDK, sikundër edhe deputetët e AAK-së, atë ditë i mbështetën rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me rastin e arrestimeve të aktivistëve të këtij subjekti politik pas sulmit që ishte bërë në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Pak orë pasi u miratuan tri rekomandimet e VV-së, ajo reagoi duke thënë se ato e cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe si të tilla janë në kundërshtim me parimin themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve.

“Rekomandimet në fjalë, cenojnë detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim për të respektuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë si një prej vlerave kryesore të Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër tjera ajo.

Një nga deputetët e koalicionit qeverisës, ndonëse ka votuar pro rekomandimeve të VV-së, tash i jep të drejtë ministres. Por, si e arsyeton ai votën e tij- pro rekomandimeve?

“Më duhet ta pranoj se nuk kam qenë i vëmendshëm kur janë lexuar rekomandimet. Kam menduar se ato janë në frymën e debatit që ishte zhvilluar, por më vonë e kam kuptuar se terminologjia që është përdorur gjatë leximit të tyre, s’ishte në harmoni me atë që kam menduar”, ka thënë ai pa dashur t’i përmendet emri në gazetë.

Megjithatë, ai ka bindjen se edhe plotë deputetë të tjerë të koalicionit qeverisës kanë qenë njësoj të pavëmendshëm si ai. “Ne kemi menduar se do të kërkohet hetimi i rastit, a në fakt më vonë e kemi kuptuar se është kërkuar edhe shkarkimi i personave të caktuar në polici e në Qeveri”, ka shpjeguar ai.

Ndonëse rekomandimet nuk u janë shpërndarë deputetëve në formë të shkruar, as para e as pas votimit, AktivPress i ka transkriptuar ashtu siç i ka lexuar deputeti, Sami Kurteshi para hedhjes në votim.

“Për shkak të këtij inskenimi monstruoz, për shkak të involvimit të drejtpërdrejtë, për shkak të përpjekjes së kundërligjshme, kundërkushtetuese, kriminale, për fajësimin e aktivistëve të aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të Lëvizjes “Vetëvendosje” si subjekt politik, për shkak të dyshimit të bazuar të involvimit të drejtpërdrejtë të qarqeve të larta në Policinë e Kosovës, në Prokurorinë Speciale dhe në Gjyqësorin e Kosovës, ne si Lëvizje “Vetëvendosje” kërkojmë nga ky Kuvend që:

1. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit nga ndonjëri nga vendet perëndimore të Bashkimit Evropian, përfshirë vendet neutrale të Evropës Perëndimore dhe Zvicrën, por këtë duke e veçuar nga rasti i Astrit Deharit.

2. Shkarkim i të gjithë personave nga Policia e Kosovës, të involvuar në këtë rast të inskenuar.

3. Shkarkimi dhe suspendimi i të gjithë personave që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore kur ka ndodhur rasti i Astri Deharit”.

Këto rekomandime u lexuan me 8 shkurt, por u votuan tek të nesërmen.

Nga 74 deputetë të pranishëm në sallë, 38 votuan për, 10 kundër, 13 abstenuan, ndërsa të tjerët s’morën pjesë në votim.

Rekomandimet nuk u bënë publike në faqen zyrtare të Kuvendit, por kjo nuk e pengoi një deputete të VV-së që ta shpërndaj një version të tyre në rrjetin social.

Deputetja Arbërije Nagavci, nuk i listoj tri rekomandime ashtu siç i kishte lexuar Kurteshi, por i rënditi gjashtë sosh.

Në rekomandimet e saj nuk përmendet askund shkarkimi dhe suspendimi i të gjithë personave që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore kur ka ndodhur rasti i Astrit Deharit.

Miratimit i këtyre rekomandimeve ka nxitur reagimin edhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ky Këshill ka përkujtuar se ligji garanton mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mjetet juridike të cilat kanë të drejtë i shfrytëzojnë të gjitha palët në procedurë.

“Çdo tejkalim i autorizimeve kushtetuese dhe ligjore konsiderohet ndërhyrje në punën e gjyqësorit”, është thënë në reagimin e KGJK-së.

Rekomandimet tash janë në dorën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai e ka për obligim t’i nënshkruaj vendimet që dalin nga Kuvendi./AktivPress