Policia e Korçës arrestoi një 45-vjeçar të dyshuar si bashkëpunëtor në tentativën për trafikimin e 48 kilogramëve hashash në drejtim të Greqisë në prill të këtij viti.
I arrestuari është shtetasi Ardian Hoxha, 45-vjeç, banues në fshatin Miras të Devollit. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” Ndalimi i këtij shtetasi, lidhet me ngjarjen e ndodhur më 24 prill, në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, në afërsi të Piramidës nr.54, ku shtetasi i lartpërmendur në bashkëpunim me tre persona të tjerë, dyshohet se kishin synim të transportonin nëpërmjet kufirit të gjelbër drejt Greqisë, me qëllim trafikimi, një sasi prej rreth 48 kilogramë lëndë e dyshuar si narkotike.