Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj ishte pjesë e takimit të Bordit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë, ku u diskutua Strategjia e Evropës Juglindore 2020: Raporti Vjetor i Implementimit për vitin 2017.
Me këtë rast, ministrja Ahmetaj i njoftoi të pranishmit për reformat strukturore që i ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës, veçanërisht në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes dhe krijimin e kushteve për konkurrencë dhe investime të huaja direkte.
“Një arritje tjetër e rëndësishme është edhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila ka hapur dyert e tregut të madh të BE-së për prodhuesit kosovar”, ka thënë ajo.
Gjithsesi, ministrja Ahmetaj gjithashtu vlerësoi lartë të dhënat e raportit dhe shprehu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
Për më tepër Ministrja Ahmetaj shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës që të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal sfidë e cila është evidentuar edhe në raportin e fundit të bordit të RCC. /KosovaPress/